GJITHÇKA QË NDODHI GJATË SEANCËS SË TRETË TË KUVENDIT KOMUNAL NË PRESHEVË

Sot është mbajtur Seanca e III-të e Kuvendit Komunal në Preshevë, e paraparë të mbahet më 15.04.2019,  me pesë pika të rendit të ditës. Kryetari i Kuvendit z. Salihu hapi punimet e seancës së III-të duke konstatuar prezencën e 28 këshilltarëve të Kuvendit komunal dhe ekzistencën e kuorumit të mjaftueshëm për të vazhduar punimeve sipas rendit të ditës. Përveç këshilltarëve të pranishëm ishin edhe mediet dhe zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës.


Kryetari  Salihu në hapjen e seancës përmendi se përveç materialit të rregullt, këshilltarëve i janë dorëzuar si dokumente shtesë edhe dy kërkesa nga Partia për Veprim Demokratik, që kanë të bëjë me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme dhe debatin mbi shkarkimin e drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Preshevë, për shkak të problematikës së krijuar për shkak të keqpërdorimit të kamerave të sigurisë që ambientet brenda institucionit, Vendimi mbi rrjetin e enteve parashkollore publike në territorin e komunës së Preshevës, si dhe pika e rendit të ditës për diskutimin e Vendimit mbi ndarjen e mjeteve për investime nga buxheti i Trupit Koordinues.

Nadër Sadiku: Kërkojmë shkarkimin e drejtorit të shtëpisë së shëndetit

I pari që mori fjalën pas hapjes së diskutimit për rendin e ditës, ishte shefi i grupit të këshilltarëve nga Partia për Veprim Demokratik, z.Nadër Sadiku me ç’rast shpjegoi propozimin e paraqitur nga ky grup i këshilltarëve i përkrahur edhe nga këshilltarët e PDSH-së. Gjatë adresimit në lidhje me këtë kërkesë z.Sadiku mes të tjerash tha se publikimi i fotografive të nënkryetares së PVD-së, Ardita Sinani, nga drejtori i këtij institucioni në llogarinë e tij private në facebook që një “hap famëkeq i tij dhe ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare të tij, shkeljen e kodeve morale shqiptare, shkelje e privatësisë së pacientit, pasi që fotografitë janë marrë nga kamerat e sigurisë që gjinden brenda shtëpisë së shëndetit në Preshevë”.

Përveç diskutimit në lidhje me propozimin e PVD-së, z.Sadiku shpjegoi edhe se propozimi për të futur në rend dite pikën që ka të bëjë me Vendimi mbi rrjetin e enteve parashkollore publike në territorin e komunës së Preshevës, gjë që sipas ligjit është vonuar të sillet me kohë në Kuvend, pasi që afati i fundit për përcaktimin e rrjetit të enteve parashkollore ka qenë data 31 mars 2019, kur edhe ministria përkatëse e përcakton vet rrjetin e enteve parashkollore në territoret e komunave ose qyteteve që nuk kanë dërguar një dokument të kompletuar dhe aprovuar brenda afateve ligjore.


Për tu përgjigjur në adresimet e z.Sadiku, fjalën mori shefi i këshilltarëve të APN-së, Amir Latifi, duke i dalë në mbrojtje drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Preshevë përmes arsyetimit se PVD këtë postim po e përdor politikisht, pasi që siç tha z.Latifi se autori ka gabuar dhe ka përmirësuar gabimin pasi që e ka fshi postimin vetëm 5 minuta pasi që e ka bë në facebook. Gjithashtu z.Latifi akuzoi PVD-në se ka keqpërdorë dhe falsifikuar nënshkrimet e grumbulluara për peticionin përkrahës për shkarkimin e drejtorit të shtëpisë së shëndetit.

Reagimi i z. Latifi nxiti debat të gjatë duke sjellë në foltore replika dhe kundër replika të shumicës së këshilltarëve të PVD-së dhe APN-së. Gjatë debatit u thanë akuza e kundër akuza përmes të cilave secila palë mbronte pozicionin e saj. Përveç shefave të grupeve të këshilltarëve të PVD-së dhe APN-së, fjalën e morën edhe këshilltarët Rinor Krasniqi (PVD), Mimoza Fazliu (APN), Skender Destani (PVD), Almin Shaqiri (APN), Arzana Bajrami (APN), Shpat Aliu (PDSH), Avni Nuhiu (LRPDSH), Ridvan Tahiri (PVD), .

Gjatë diskutimeve, këshilltarët e APN-së theksonin që janë kundër veprimit të drejtorit të shtëpisë së shëndetit por nuk apelonin për kërkim-falje dhe nuk përkrahnin shkarkimin e tij, gjë që e vlerësonin si gabim që nuk do të kishin dëshiruar ti ndodhte atyre ose familjarëve të tyre.

Përveç diskutimeve rreth problemit të shkaktuar nga drejtori i shtëpisë së shëndetit me publikimin e fotografive nga kamerat e sigurisë në llogarinë e tij në facebook, z.Destani propozoi që pika e 4 e rendit të ditës të tërhiqet nga seanca e sotshme me arsyetimin se siç tha ai “nuk përmbush kriteret ligjore për të qenë pjesë e këtij rendi të ditës”. Pika kishte të bënte me propozim vendimin mbi emërimit të kryetarit dhe një anëtarit të shtëpisë së shëndetit “Presheva” në Preshevë.

Skender Destani: Emërimi i kryetarit të këshillit drejtues të shtëpisë së shëndetit i paligjshëm

Më tutje z.Destani shpjegoi se me ligjin e ri të datës 11 prill 2019, këshilli drejtues i shtëpisë së shëndetit duhet të përbëhet me anëtar të cilët janë profesionistë në drejtimet e mjekësisë, gjegjësisht duhet të plotësojnë kushtin e mjekut që kanë pesë vite përvojë pune, ekonomist ose jurist po ashtu me pesë vite përvojë pune.

“Në rastin konkret, kandidati i cili është propozuar për  anëtarë të këshillit drejtues të shtëpisë së shëndetit, por edhe kryetari, prof. Hysamedin Ahmedi së pari nuk është profesor por është inxhinier me sa di unë, dhe me gjasë nuk është i diplomuar, por edhe nëse të gjitha këto janë të pavërteta nuk mundet të jetë anëtar i këtij këshilli, sepse ligji në mënyrë taksative e sqaron se kush mundet me qenë pjesë përbërëse e tij” tha mes tjerash z.Destani.

Për të e dëshmuar këtë gjë këshilltari i PVD-së, njëherit mjek në shtëpinë e shëndetit në Preshevë e citoi Nenin 123 të ligjit mbi shëndetësinë të datës 11 prill 2019, i cili përcakton se anëtar i këshillit drejtues të shtëpisë së shëndetit mundë të jetë mjek, dentist, magjistër i farmacisë ose biokimisë, e që kanë më së paku pesë vite përvojë pune.

Përveç këshilltarëve të PVD-së dhe APN-së në diskutimin rreth shtëpisë së shëndetit dhe drejtorit të saj, në diskutim mori pjesë edhe këshilltari i PDSH-së Shpat Aliu.

“Sa i përket çështjes së drejtorit të shtëpisë së shëndetit në lidhje me fotografitë e postuara të z.Sinani në facebook, drejtori i shtëpisë së shëndetit është emëruar në atë pozitë nga ky kuvend. Raporti i punës së tij nesër përsëri kërkohet nga ky kuvend, gjë që kjo problematikë është shumë e thjeshtë. Të diskutojmë për problemin e në fund votohet pro ose kundër edhe kryhet puna,” tha Shpat Aliu. 

Përveç diskutimit në problemin në shtëpinë e shëndetit, këshilltari i PDSH-së Aliu foli për keqpërdorimet e pushtetit lokal, projektet të cilat i kanë trashëguar nga pushtetet e mëparshme si dhe shumë problematika tjera të grumbulluara si pasojë e seancave të rralla të Kuvendit të Preshevës.

Armend Aliu: Të gjithë ne po e pranojmë se drejtori i shtëpisë së shëndetit ka gabuar

Krejt në fund fjalën e mori zëvendëskryetari i komunës, i cili pranoi gabimin e Komunës së Preshevës në lidhje me vonesën e miratim vendimit mbi përcaktimin e rrjetit të enteve parashkollore. Duke folur për prioritetet e pushtetit lokal Aliu përmendi disa aktivitete që po ndërmerr Komuna e Preshevës nëpër bashkësitë lokale në Preshevë. Ai përveç tjerash foli edhe për problemin e shtëpisë së shëndetit.

“Secili prej nesh, këtu, në këtë foltore po e pranon se ka qenë gabim postimi i asaj fotografie. Edhe Dritoni, në momentin kur e ka larguar atë fotografi nga facebook, menjëherë pas postimit, e ka pranuar se ka qenë gabim”,tha Aliu.

Duke iu referuar ai kërkimfaljen që po insiston opozita, Aliu foli rreth peticionit të deponuar nga opozita, duke anashkaluar tërësisht dhe mos e përmendur asnjëherë fjalën shkarkim.

Pas rreth dy orë diskutime, akuza dhe kundërakuza, Kryetari i Kuvendit z.Salihu pasi që konstatoi prezencën e 30 këshilltarëve në seancë, nxori në votim propozimin e shefit të grupit të këshilltarëve të PVD-së,  me ç’rast votuan 10 për, 20 kundër dhe pika e rendit te ditës nuk kaloi.

Menjëherë pas saj për votim u vendos edhe propozimi i z.Destani e që mori përkrahjen e këshilltarit Tahiri dhe Aliu por me 20 vota kundër nuk u aprovua as propozimi për të u tërhequr emërimi i kryetarit dhe një anëtari të këshillit drejtues të shtëpisë së shëndetit.

Rendi i ditës i plotësuar edhe me dy pika shtesë u aprovua nga 20 këshilltarët e shumicës. Me 20 vota për gjithashtu u miratua edhe procesverbali nga seanca e kaluar pa diskutuar aspak.

Rinor Krasniqi denoncon se u kërcënua nga një këshillëtar i APN, rastin e konfirmon z.Sadiku

Gjatë votimit të procesverbalit të seancës së kaluar, këshilltari i PVD-së, Rinor Krasniqi në foltore paraqiti faktin se jashtë sallës së Kuvendit komunal është kërcënuar nga këshilltarja e APN-së Almina Iljazi, gjë të cilën e konfirmoi në foltore edhe shefi i këshilltarëve të PVD-së, si person që ka qenë prezent në momentin e kërcënimit. Në shenjë revolte këshilltarët e PVD-së vendosën të largohen nga punimet e seancës së Kuvendit.

Pas largimit të PVD-së nga seanca, Kryetari i Kuvendit procedoi me pikat e rendit të ditës, ku edhe pas diskutimeve u votuan të gjitha pikat e rendit të ditës me 20 vota pro.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”