Ditën e djeshme policia serbe e ka bastisur shtëpinë e Naim Ramizit, ish-ushtarit të UÇPMB-së në Tërnoc të Bujanocit.
Kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta, jo vetëm në Luginë por edhe në Kosovë.
Vet Ramizi, tregoi në emisionin Kosova Today, për arsyen e kësaj bastisjeje.
Ai në studion e Klan Kosovës, ka paralajmëruar se do të kthehet në vendin e tij të lindjes.
“Vitin që vjen domethënë në mars, bëhet parashkrimi i vepres sime. Bëhen 20 vite dhe bëhet një parashkrim absolut, me të cilët Serbia nuk ka të drejtë të më kërkoj ndërkombëtarisht dhe as të më arrestojë. Në këtë situatë, unë kam nisur procedurat ligjore për parashkrim dhe kam paralajmëruar se unë do të kthehem në vendin tim. Ndoshta jo për të jetuar, por për ta vizituar familjen time, vendin ku kam lindur për të cilin kam shumë mall dhe është mall i papërshkrueshëm”, deklaroi Ramizi në Klan Kosova.
“Unë mendoj që ka të bëjë pikërisht me këtë se po më bëjnë presion. Me këtë po më thonë se ti je i padëshirueshëm në këtë vend”, theksoi ai. /KlanKosova