I shtyhet seanca gjyqësore, Mustafi: Drejtësia në Serbi është teatër politik

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktualisht këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Ragmi Mustafi, ka reaguar pas shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj tij në Gjykatën Ekonomike të Leskocit, duke e cilësuar procesin si pjesë të një sistemi politik që synon të frikësojë zërat kritikë shqiptarë në Luginën e Preshevës.


Mustafi ka njoftuar se sot ka qenë i ftuar në Gjykatën Ekonomike të Leskocit, në një seancë ku ishte dashur të ftohej Ragmi Mustafa nga Presheva.

“Sot, në Gjykatën Ekonomike të Leskocit, seanca ndaj meje u shty, pasi në aktakuzë ishin bërë dy ‘gabime’ që nuk mund të jenë rastësore: më kishin paraqitur ende si kryetar të KKSH-së, edhe pse mandatin e kam përfunduar në dhjetor 2022, dhe më kishin ngatërruar me Ragmi Mustafan – zëvendëskryetar i Komunës së Preshevës dhe kryetar i PDSH-së”, ka shkruar Mustafa.

Ai theksoi se në një sistem ku “politika komandon drejtësinë, e vërteta bëhet armiku më i madh i pushtetit”, ndërsa proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve në Luginë janë “akte politike, jo ligjore — të drejtuara për të prodhuar frikë, e jo për të zbatuar ligjin”.

Mustafa shtoi se do të vazhdojë të përballet me çdo proces me dinjitet dhe bindje, duke theksuar se heshtja do të ishte “fitorja e atyre që duan ta shuajnë zërin kritik shqiptar në Luginë”.

Në vazhdim ju sjellim postimin e plotë të Mustafit në Facebook në lidhje me këtë rast:

U SHTYE SHQYRTIMI GJYQËSOR NË LESKOC

Në një sistem ku politika komandon drejtësinë, e vërteta bëhet armiku më i madh i pushtetit.

Në Luginën e Preshevës, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve janë më shumë akte politike sesa ligjore — të drejtuara jo për të zbatuar ligjin, por për të prodhuar frikë.

Sot, në Gjykatën Ekonomike të Leskocit, seanca ndaj meje u shty, pasi u sqarua në aktakuzë ishin bërë dy “gabime” që nuk mund të jenë rastësore:

– më kishin paraqitur ende si Kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar, edhe pse mandatin e kam përfunduar në dhjetor të vitit 2022;

– dhe më kishin ngatërruar me Ragmi Mustafan – zëvendëskryetar i Komunës së Preshevës dhe kryetar i PDSH-së.

Sepse mjafton të jesh shqiptar aktiv e kritik, për t’u bërë objekt i një drejtësie që nuk kërkon prova, por pretekste.

Që nga përfundimi i mandatit tim, kjo është hera e pestë që përballem me gjykatat: tre herë në Leskoc, një herë në Vranjë për flamurin kombëtar, dhe një herë në Vladiçki Han, për akuza që s’kanë as logjikë, as bazë.

Në secilin rast, kam qenë i pranishëm me dokumente, dëshmi dhe dinjitet, ndërsa përballë kam pasur sistemin që ngatërron funksionet, personat dhe të vërtetën.

Në fakt, kjo s’është drejtësi, por teatër politik, me skenar të shkruar nga Trupi Koordinues dhe aktorë që nënshkruajnë grafite me emrin “Ratko Mladić”. Në Bujanoc, pushteti lokal hoqi posterin tim nga muri, ndërsa organet e rendit nisën pasivizimin e adresës së familjes sime — bashkëshortes dhe djalit tim të madh.

Kur nuk arrijnë të të ndëshkojnë për mendimin tënd, të ndëshkojnë për ekzistencën tënde.

Kur nuk mund të të heshtin, përpiqen të të fshijnë.

Kjo është fytyra e vërtetë e sistemit që pretendon të flasë për sundimin e ligjit.

Sistem ku politika përdor drejtësinë si armë, e drejtësia përdor heshtjen si alibi.

Ndërsa portalet e oponencës politike, me gënjeshtra të sinkronizuara, luajnë rolin e gjykatave paralele, duke shpërndarë lajme të rreme e etiketime që përgatitin terrenin për gjykimin politik.

E gjithë kjo nuk është spontane — është e koordinuar me kujdes, skemë e njohur për të goditur kundërshtarët përmes instrumenteve të shtetit: prokurorisë, policisë, mediave dhe administratës.

Por unë nuk kam ndërmend të dorëzohem.

Çdo proces gjyqësor, çdo kërcënim anonim dhe çdo fletëthirrje janë dëshmi se zëri im ka prekur vendin e duhur. Nuk kam frikë nga drejtësia.

Por unë besoj se pushteti që frikësohet nga një poster, nga një fjalë, apo nga një familje, nuk është i fortë – është i brishtë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, do të vazhdoj të flas, të reagoj dhe të qëndroj.

Sepse heshtja do të ishte fitorja e tyre, ndërsa qëndrimi është mënyra më e ndershme për ta mbrojtur të vërtetën.

Related posts

Bastisjet e policisë serbe Naim Ramizi: Do të kthehem në vendin tim pas 20 vjetësh

Bastiset shtëpia e një ish-luftëtari në Tërnoc të Bujanocit

Fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë në futboll e festoi me armë, arrestohet i riu nga Bujanoci