Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka bërë të ditur se së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, kanë zhvilluar një drekë pune në Preshevë me kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Sipas Pajazitit, gjatë takimit është diskutuar për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballet popullata shqiptare prej vitesh, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e integrimit në institucionet shtetërore dhe mungesën e investimeve në komunat e Luginës.
Ai ka theksuar se në takim është shprehur mirënjohje për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Luginës përmes projekteve të ndryshme zhvillimore dhe demokratike gjatë afro 25 viteve të fundit.
Pajaziti dhe Sinani kanë falënderuar kongresmenët amerikanë edhe për iniciativat dhe angazhimin e tyre lidhur me rezolutën që trajton çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në takim është potencuar se prania dhe mbështetja amerikane në rajon mbeten të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit, avancimin e demokracisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët.
Kryetari i Bujanocit ka bërë të ditur se kongresmenëve amerikanë ua ka paraqitur edhe specifikat politike të komunës së Bujanocit, si dhe nevojat dhe prioritetet e qytetarëve në aspektin ekonomik, zhvillimor dhe institucional.
Ai ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me partnerët amerikanë dhe ndërkombëtarë, me synimin që Lugina e Preshevës të ketë më shumë zhvillim, investime dhe perspektivë për qytetarët e saj./FOL Online