FRPVD ka organizuar grumbullimin e nëshkrimeve për përkrahjen e peticionit që synon të shkarkojë drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, pas skandalit me kamerat e sigurisë.
“Nisma e Forumit Rinor të PVD-së për grumbullimin e nënshkrimeve të përkrahjes së Peticionit për shkarkimin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit, përfundoi me sukses dhe pa asnjë incident.Për një afat prej 4 orëve (nga ora 11:00 deri ora 15:00), Peticionin e mbështetën 380 qytetarë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie në facebook.
Ky aksion vie në përkrahje të një varg aktiviteteve që dolën në përkrahjen e nënkryetares së PVD-së për Preshevë, znj. Ardita Sinani, pas skandalit me kamerat e sigurisë të shtëpisë së shëndetit në Preshevë nga drejtorit aktual, me ç`rast publikoi pamje nga ambientet e emergjencës për hesape politike.
Siç ka mësuar PreshevaPRESS, peticioni do të dorëzohet në institucionet e pushtetit lokal në Preshevë ditën e hënë, më 01.04.2019. Me këtë rast, FRPVD përmes njoftimit të lëshuar në facebook falënderon të gjithë qytetarët që gjatë ditës së shtunë i dhanë përkrahje Peticionit.