Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga grabitja e armatosur që tronditi Tërnocin, ndërsa deri në këto momente nuk ka asnjë gjurmë zyrtare për kapjen e personave të dyshuar.
Edhe pas kontrollimit të terrenit dhe bastisjeve në disa lokacione nga ana e policisë, nuk ka ndonjë shenjë të qartë që shpie tek autorët e krimit
Ngjarja ndodhi dje në orët e mëngjesit, rreth orës 08:00, në dalje të fshatit Tërnoc, ku cak i sulmit ishte pronari i një argjendarie nga kjo zonë.
Sipas informacioneve të para, viktima fillimisht ishte goditur nga një veturë e tipit Audi me targa të huaja, ndërsa menjëherë më pas nga një Audi tjetër e tipit Q5 kishin dalë katër persona të maskuar dhe me armë të gjata.
Të dyshuarit nën kërcënimin e armëve kanë marrë një çantë në të cilën dyshohet se kishte sasi ari dhe argjenti.
Në momentin e grabitjes, pronari i artarisë ishte në veturë bashkë me djalin e tij të mitur.
Menjëherë pas rastit, forca të shumta policore kishin nisur aksionin për kapjen e autorëve, duke kontrolluar fillimisht zonën e Tërnocit, ndërsa më vonë kërkimet ishin zgjeruar në drejtim të fshatrave Lluçan dhe Dobrosin.
Sipas burimeve të konfirmuara, vetura Audi Q5 me ngjyrë të zezë dhe targa kosovare ishte parë në dalje të fshatit Lluçan, në rrugën që çon për në Dobrosin. Megjithatë, ende nuk dihet nëse të dyshuarit kishin kaluar kufirin apo kishin ndryshuar drejtimin e arratisjes.
Deri tani, organet kompetente nuk kanë dhënë detaje të reja lidhur me hetimet, ndërsa rasti vazhdon të mbetet pa epilog.
Lidhur me ngjarjen është deklaruar edhe Prokuroria e lartë në Vranjë duke theksuar se është urdhëruar inicimi i ndërmarrjes së të gjithë veprimeve konform me ligjin. /FOL Online