Dokument / PVD, PD dhe LPD nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje në Bujanoc

Në takimin  e tretë të iniciativës së kryetarit të KKSH-së, Nevzad Lutfiu, për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Bujanoc, sot është arritur marrëveshje mes PVD-së, PD-së dhe LPD-së. 


Kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu, më 14 shkurt të këtij viti, përmes një shkrese të dërguar partive shqiptare në Bujanoc, si kundërpërgjigje të mundësisë së bashkimit të partive serbe në një listë të vetme, ka inicuar krijimin e një liste ose një marrëveshje në parim për shumicë shqiptare pas zgjedjeve lokale.

Takimi i parë rreth kësaj teme është realizuar më datë 20 shkurt, derisa takimi i dytë i përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Bujanoc është organizuar më 19 prill, ku edhe është propozuar një draft sipas të cilit do të arrihej një marrëveshje për bashkëpunimin ndërpartiak, që do të garantonte shumicë shqiptare 

Sot, në hapësirat e Këshillit Kombëtar Shqiptar, është arritur ujdia dhe është nënshkruar marrëveshje mes PVD-së, PD-së, dhe LPD-së, për bashkëqeverisje në Komunën e Bujanocit pas zgjedhjeve lokale që priten të mbahen më 2 qershor. 

“PVD, PD dhe LPD arrijnë këtë marrëveshje e cila ka prioritet luftën kundër diskriminimit, zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror, arritjen e barazisë, zhvillimin ekonomik-social, kulturor të komunës sonë.” ka shkruar Lutfiu në facebook pas nënshkrimit të marrëveshjes. 

Shaip Kamberi si kryetar i PVD-së, Nagip Arfi si kryetari i PD-së, dhe Shqiprim Musliu si kryetar i LPD-së, kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me Bujanocin në mandatin 2024 – 2028, përmes të cilës kanë rënë në ujdi që “të zhvillojmë fushatë elektorale dinjitoze në kushtet e demokracisë liberale,  në  frymën e parimeve të një fushate etike, duke e respektuar votuesit dhe  pjesmarrësit e zgjedhjeve” thuhet në marrëveshje. 

“Marrëveshja jonë synon luftën kundër diskriminimit, zhvillimin shoqëror, barazinë dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të komunës së Bujanocit.” ka shkruar Kamberi pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyret e KKSH-së. 

Në marrëveshje thuhet se këto parti mbeten të hapura edhe për listat e tjera garuese që sigurojnë mandate në përbërjen e re të Kuvendit komunal, derisa vendimin për kyçjen e listave tjera pjesmarrësve në zgjedhjet lokale e marrin palët nënshkruese të kësaj marrëveshje (PVD, PD dhe LPD) me koncensus të plotë.

“Kjo marrëveshje është arritur duke qenë të ndërgjegjshëm për historinë kombëtare, rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak, dhe për stabilitetin, seriozitetin e situatës dhe zhvillimin e komunës tonë. Koalicioni paszgjedhor mes tri partive angazhohet për ndërtimin e një shumice respektive, prosperuese që garanton shumicë shqiptare në mandatin e ri 2024 – 2028.” ka shkruar në llogarinë e tij, kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.

Kujtojmë se kjo marrëveshje u arrit dy ditë pasi që APN, UDSH dhe Lëvizja për Bujanocin, u dakorduan që të garojnë në zgjedhjet lokale në një listë të përbashkët. 

Në lidhje me këtë ka reaguar Driton Rexhepi, udhëheqës i Lëvizjes për Bujanocin, në llogarinë e tij në facebook, duke thënë se arritja e marrëveshjes mes PVD-së, PD-së dhe LPD-së, ka për synim që të thellojë humbjen e besimit dhe shpresës që ndryshimi është i mundshëm përmes votës së qytetarit. 

“Manovrat e sotit në politikën e Bujanocit, mund të shihen si shtojcë e vlefshme e veprës së njohur të Niccolo Machiavelli “Princi” në të cilën ai tregon historinë e sjelljeve të paskrupullta e të pamoralshme të politikanëve të uritur për pushtet! Mesazhi i kësaj marrëveshje është të thellojë humbjen e besimit dhe shpresës që vota mund të ndryshojë diçka në Bujanoc” ka shkruar Rexhepi në facebook. 

Në vazhdim ju sjellim dokumentin e plotë të nënshkruar nga PVD, PD dhe LPD për bashkëqeverisje në Bujanoc. 

 

Të gjitha informacionet në lidhje me Zgjedhjet lokale në Luginë mund t’i gjeni duke klikuar në këtë vegëz apo në faqen NË FOKUS nën seksionin ZGJEDHJET LOKALE 2024.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”