Akuza dhe kundërakuza mes Mustafës dhe Arifit për raportet me Beogradin

Foto: preshevajone.com

Kryetari i përkohshëm i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur se janë shpallur zgjedhjet më 2 qershor në komunat e Serbisë, duke përshirë edhe atë të Bujanocit dhe Preshevës.


Mustafa tha se me ndryshimin e ligjit në Serbi, janë krijuar kushtet që të mbahen zgjedhjet edhe në Preshevë.

“Bërnabiq ka shpallur zgjedhjet sipas Kushtetutës dhe ligjit për komunat në Serbi dhe në qytetin e Serbisë. Ditë më parë ajo ka shpallur zgjedhjet për Beogradin, tash edhe për komunat duke e ndërruar para disa ditësh ligjin për pushtet vendor. Me ndryshimin e ligjit tashmë janë krijuar kushtet që sot të shpallen zgjedhjet në komunat, të cilat i kanë mbushur katër vjetarin e pushtetit në specifikat e tyre. Ndërsa, edhe Komuna e Preshevës është futur në grup të komunave që nënkupton që do të mbahen zgjedhjet”, deklaroi ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Kryetari i përkohshëm tha se në Komunën e Preshevës nën udhëheqjen e ish-kryetarit Shqipërim Arifi, demokracia ishte ngulfatur për nëntë muaj, pasi që nuk ishin mbajtur asnjë seancë e Kuvendit Komunal.

“Demokracia ishte e ngulfatur për nëntë muaj me radhë në Komunën e Preshevës. Sepse, që nga 23 korriku i vitit 2023, plot nëntë muaj deri sot nuk është mbajtur asnjë seancë e Kuvendit Komunal të Preshevës. Duke qenë se renditja e institucioneve në pushtetin lokal sipas ligjit të Serbisë e para është Kuvendi Komunal si organ vendimmarrës më i lartë i mundshëm demokratik në një komunë, pastaj vjen kryetari i komunës dhe zëvendëskryetari bashkë me Këshillin Komunal”, tha ai.

Ai tha se nuk kanë mundur të shkojnë në zgjedhje muaj më parë, pasi që sipas tij, është dashur të shpërbëhej Kuvendi Komunal.

“Ne nuk kemi mundur të shkojmë në zgjedhje, po qe s’u shpërndahej Kuvendi Komunal. Atëherë ne në këtë formë… një njeri pret dhe një i njëjti njeri qep në komunë pa institucionin më të lartë vendimmarrës do të shkonte deri në maj të vitit 2025. Prandaj, është domosdoshmëri që Kuvendi Komunal të shpërndahet për aq kohë sa për tre muaj nëse nuk mban asnjë seancë, në këtë rast jemi nëntë muaj. Tri herë është shtuar koha e shpërndarjes së Kuvendi Komunal dhe kjo me qëllimin më të mirë që qeveria në Beograd, presidenti Vuçiq t’i jap hapësirë kryetarit të mëparshëm zotit Arifi që të kontrabandojë me këshilltarë, që të blejë këshilltarë, që të ndërtojnë mbase një shumicë tjetër në mënyrë që të funksionojë pushteti vendor”, shtoi Mustafa.

Ndërkohë ditë më parë, Shqiprim Arifi, kishte deklaruar se autoritetet në Serbi “në mënyrë arbitrare”, e kishin shkarkuar nga posti i kryetarit. Ndërkaq, në vendimin e Qeverisë serbe të 18 prillit thuhet, pa dhënë arsye, se është shpërndarë Kuvendi Komunal i Preshevës./Teve1

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”