Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka zhvilluar një vizitë emocionuese në vendlindje, ku u prit ngrohtësisht nga drejtuesit dhe futbollistët e rinj të klubit lokal KF Tërrnoci.
Në këtë takim simbolik, atij iu dhurua fanela me numrin 6 nga klubi, në shenjë respekti dhe krenarie për arritjet e tij në futbollin ndërkombëtar.
Gjimshiti pati rastin të bashkëbisedojë me futbollistët e rinj të klubit, duke ndarë me ta përvoja, këshilla dhe mesazhe motivuese. Me përulësi e sinqeritet, ai u uroi të rinjve që të arrijnë më shumë se ai në karrierën e tyre, duke theksuar rëndësinë e punës, disiplinës dhe dashurisë për vendin dhe sportin.
Vizita e tij erdhi në prag të ndeshjes së rëndësishme të Shqipërisë me Serbinë, gjë që e bëri edhe më domethënëse praninë e tij në mesin e bashkëfshatarëve.
“Kudo që më çon futbolli, kurrë nuk i harroj rrënjët. Të jem këtu sot është një emocion i madh për mua. Jam krenar që vij nga ky vend dhe gjithmonë do ta mbaj në zemër”, u shpreh Gjimshiti.
Vizita e kapitenit të kuqezinjve në KF Tërrnoc u prit si një ngjarje e veçantë për komunitetin, duke i dhënë shtysë dhe frymëzim brezit të ri të sportistëve që ëndërrojnë të ndjekin gjurmët e tij në arenën ndërkombëtare.