Pas grabitjes së armatosur që ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Tërnoc i Madh, Kuvendi Komunal i Bujanocit i është drejtuar me një kërkesë urgjente Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë për ndërmarrjen e masave konkrete operative dhe kapjen e autorëve.
Në reagimin zyrtar, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka shprehur shqetësimin e thellë për ngjarjen ku një qytetar, pronar i një argjendarie, u bë objekt i një grabitjeje të armatosur.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 në dalje të fshatit, ku persona të armatosur kanë bllokuar rrugën me automjete dhe, nën kërcënimin e armëve, kanë detyruar pronarin të ndalet, duke i marrë me forcë një sasi të konsiderueshme ari.
Rexhepi thekson se fakti që kjo ngjarje vjen pas një rasti të ngjashëm të ndodhur vetëm pak muaj më parë në të njëjtën zonë, ngre dyshime serioze për veprimtarinë e grupeve të organizuara kriminale dhe rrit ndjeshëm shqetësimin për sigurinë publike në komunë.
Në kërkesën drejtuar MPB-së, kërkohet:
- ndërmarrja e menjëhershme e masave konkrete operative për identifikimin dhe kapjen e autorëve;
- intensifikimi i hetimeve për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe rasteve të ngjashme;
- hartimi dhe zbatimi i një plani të veçantë sigurie për parandalimin e krimeve të tilla në të ardhmen.
“Siguria e qytetarëve është përgjegjësi themelore e institucioneve shtetërore dhe kërkon reagim të menjëhershëm, profesional dhe efikas”, thuhet në reagim.
Kuvendi Komunal pret një përgjigje të shpejtë dhe konkrete nga institucionet përgjegjëse.
