Zëri i Kosovës në NBA, rrugëtimi i Edona Thaqit drejt ngjitjes në skenën e basketbollit

Nga rrënjët kosovare deri në ekranet e USA Network, Edona Thaqi po ndërton një histori suksesi në një nga skenat më të mëdha të basketbollit për femra në botë.


Ish-basketbollistja e përfaqësueses së Kosovës sot është analiste dhe komentatore në WNBA, duke u bërë femra e parë shqiptare në këtë rol.

Përveç karrierës në Amerikë ajo vazhdon të kontribuojë edhe në Kosovë përmes kampit “Heritage Basketball Academy” në Prishtinë, ku organizon kamp basketbolli dhe sjell trajnerë nga SHBA-ja.

Në një intervistë me shkrim për Klankosova.tv, Thaçi flet për rrugëtimin e saj, sfidat, sakrificat si dhe ka një mesazh për vajzat e reja.

1. Nga parketi i Kosovës deri te mikrofoni i WNBA në ShBA, si ka qenë ky rrugëtim për ju, si erdhi mundësia me USA Network? 

Unë kam lindur në ShBA, por familja ime është nga Peja e Kosovës, dhe kjo ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e asaj që jam. Ka qenë një udhëtim i ndërtuar mbi besimin, durimin dhe tejkalimin e shumë pengesave… Mundësia me USA Network erdhi përmes një kohe takimesh përgatitore. Qëndrova e dukshme, përqafova mundësitë më të vogla, vazhdova të ndërtoja lidhje miqsore dhe punova edhe kur askush nuk më shikonte. Kur erdhi momenti, isha gati dhe gjithmonë besoja se mundësia ime do të vinte. Nga Kosova te komentimi i ndeshjeve të WNBA-së, ka qenë një nderë të jem femra e parë shqiptare që është komentatore në WNBA. Mundësia për të treguar historitë e këtyre atleteve në WNBA dhe për të prezantuar ligën në një platformë të shquar si USA Network është jashtëzakonisht domethënëse. Nuk është vetëm një arritje personale; është diçka shumë më e madhe. Është për sakrificat që bënë prindërit e mi për të më dhënë burimet që më nevojiteshin për të arritur aty ku jam sot. Është një kujtesë për të gjitha vajzat shqiptare që të ëndërrojnë shumë. Shpresoj që kjo të ndihmojë në hapjen e rrugës për vajzat e tjera të reja në Kosovë që luajnë basketboll dhe aspirojnë të punojnë në media. 

2. Si e kujtoni momentin kur e kuptuat që karriera juaj do të vazhdonte në sport, por jo më si lojtare, por tashmë si një zë i tij?

Në fillim ishte e vështirë të pranoj vetes se nuk do to luj ma basketboll. Të qenit atlet të formëson identitetin dhe lënia pas dore e atij versioni të vetes të duket si humbje. Por me kalimin e kohës, e kuptova se të qëndrosh në sport nuk do të thoshte domosdoshmërisht të qëndrosh në fushë. Të gjej një mënyrë për t’i dhënë lojës një zë, për të treguar historitë e saj, për të përkthyer emocionet e saj dhe për të ndihmuar të tjerët të shohin atë që unë shihja në fushë dhe t’ua mësoja lojën. Më dukej si një qëllim i ri. Nuk ishte fundi i marrëdhënies sime me basketbollin. Ishte thjesht një rol i ndryshëm në të njëjtën botë dhe, në shumë mënyra, një rol që më lejoi ta doja lojën edhe më thellë.

3. Sa sfiduese ka qenë për ju të ndërtoni karrierë në media sportive në një treg kaq konkurrues si ShBA, sidomos si një vajzë nga Kosova?

Ka qenë sfiduese, pa dyshim. Mediat sportive në ShBA janë konkurruese për të gjithë. Ndjen presionin për të qenë i mprehtë, i përgatitur dhe i qëndrueshëm sa herë që të jepet një shans. Të rritesh me rrënjë kosovare të mëson qëndrueshmërinë – nuk pret që gjërat të të jepen. Më është dashur të fitoj besim përmes punës sime, të jem e duruar dhe të pranoj se progresi nuk është gjithmonë i dukshëm menjëherë. 

4. A ka pasur momente gjatë rrugës kur jeni ndier e nënvlerësuar, keni dyshuar në vete apo edhe keni menduar të hiqni dorë? Në rast se po, si i keni kaluar ato periudha?

Gjithmonë ka momente kur dyshon në veten tënde ose mendon të heqësh dorë. Por, meqenëse gjithmonë kam qenë kaq e apasionuar pas kësaj pune, e dija se në një mënyrë ose në një tjetër, përpjekja që po bëja do të shpërblehej. Ajo që më ndihmoi të kaloja ato periudha ishte ruajtja e besimit tim. U përqendrova në përgatitje, përmirësimin e zanatit tim dhe kontrollin e asaj që mund të kontrolloja. Gjithashtu u mbështeta te njerëz që më njihnin përtej punës sime – familja, miqtë e ngushtë, mentorët – ata që më kujtuan pse fillova dhe çfarë isha e aftë të bëja kur humba perspektivën.

5. Sa ju ka ndihmuar fakti që keni qenë vetë sportiste në mënyrën se si e analizoni lojën sot? Çfarë e bën këndvështrimin tuaj ndryshe?

Të qenit sportiste formëson mënyrën se si e sheh gjithçka. Kur e analizoj lojën tani, nuk po reagoj vetëm ndaj asaj që ndodh – i kuptoj leximet, planet e lojës, emocionet, kohën, presionin dhe vendimet që lojtarët duhet të marrin në kohë reale. E di se si ndihesh në ato momente, veçanërisht kur gjërat nuk shkojnë sipas planit. Kam parë gjithashtu shumë filma për të qenë në gjendje të ndërtoj IQ-në time të basketbollit. Përgatitja ime tani është shumë e ngjashme me kur isha sportiste. Ende kam të njëjtën adrenalinë që ndieja para një ndeshjeje kur përgatitem për një transmetim. Në një farë mënyre, më kthen në atë mentalitet konkurrues dhe më bën të ndihem përsëri si lojtare – thjesht duke garuar në një rol të ndryshëm.

6. Si e përshkruani momentin e parë kur u ulët me mikrofon për të komentuar një ndeshje të WNBA?

Transmetimi i parë ishte një arritje e madhe personale, por ishte po aq domethënës për prindërit e mi. Sakrificat e tyre për të ardhur në Amerikë dhe për t’i dhënë mundësi familjes sonë e bënë të mundur atë moment. Sa herë që qëndroj pas mikrofonit, ndiej krenari per prinderit e mi. Unë jam ajo që jam sot dhe aty ku kam arritur falë prindërve të mi.

7. Sipas jush, çfarë u mungon më shumë vajzave në Kosovë apo rajon për ta ndjekur një karrierë në sport ose gazetari sportive, mbështetja, besimi apo mundësitë?

Boshllëku më i madh janë mundësitë. Mbështetja dhe vetëbesimi kanë rëndësi, dhe ato rriten sapo dyert hapen, por pa qasje në ekspozim, mentorim apo rrugë drejt sportit dhe medias – është shumë më e vështirë për vajzat të imagjinojnë se një karrierë është e mundur. Vetëbesimi mund të jetë gjithashtu një sfidë, sepse kur nuk sheh njerëz si ty në një hapësirë, është e lehtë të dyshosh në veten tënde. Kjo është arsyeja pse shpresoj që duke qenë e para në Amerikë, të mund të ndihmoj në krijimin e një rruge dhe një vizioni për vajzat e reja nga Kosova. Dua që ato të shohin se mund të ndjekin çfarëdo që vendosin në mendje, qoftë në sport, media apo kudo që ëndërrojnë të shkojnë.

8. Cila është këshilla më e sinqertë që do t’ia jepnit një vajze të re që ëndërron të bëhet sportiste apo gazetare sportive?

Duhet të jesh e duruar, të punosh më shumë se kushdo tjetër dhe të besosh në veten tënde edhe kur askush tjetër nuk ka besim ne ty. Do të ketë pengesa, dyshime dhe momente kur do të ndihesh sikur dyert janë të mbyllura – por kjo nuk do të thotë që nuk i përket dikujt. Qëndro autentike dhe më e rëndësishmja, mbaj mend pse filluat. Nëse e doni lojën ose punën mjaftueshëm për të vazhduar nëpër pjesët e vështira, ai pasion do t’ju çojë më larg sesa vetëm talenti. Udhëtimi juaj nuk do të jetë i lehtë, por do të ia vlejë – dhe çdo hap që hidhni mund ta frymëzojë vajzën tjetër të besojë se mund të bëjë të njëjtën gjë. /Klankosova.tv 

ARTIKUJT E NGJASHËM

Në Preshevë organizohet turneu i shahut “Presheva Open”

PreshevaPRESS

Super Bowl 60, bileta rekord për finalen e madhe në Kaliforni

PreshevaPRESS

Pritjes i vie fundi, zbulohet makina Ferrari SF-26 me Hamilton

PreshevaPRESS