Turneu i volejbollit për vajzat e shkollave fillore në komunën e Preshevës, i organizuar nga Qendra Sportive “Presheva”, solli një atmosferë të ngrohtë sportive dhe entuziazëm të madh mes nxënëseve pjesëmarrëse nga shkollat e ndryshme të Luginës.
Në garë morën pjesë shtatë shkolla fillore nga Presheva dhe një shkollë mysafire nga Bujanoci – Shkolla Fillore “Naim Frashëri”, nxënëset e së cilës arritën të zënë vendin e parë, duke treguar përkushtim, aftësi dhe shpirt të lartë gare.
Ekipi fitues u përfaqësua nga vajzat e Klubit të Volejbollit “Flaka”, të cilat njëkohësisht janë edhe nxënëse të “Naim Frashërit”. Ato dëshmuan nivel të lartë loje dhe angazhim për të përfaqësuar me dinjitet si shkollën, ashtu edhe klubin e tyre sportiv.
Rezultatet për kategorinë e vajzave:
- Vendi i parë: Shkolla fillore “Naim Frashëri” – Bujanoc / KV Flaka
- Vendi i dytë: Shkolla fillore “Selami Halaçi” – Rahovicë
- Vendi i tretë: Shkolla fillore “Dituria” – Corroticë
Ky turne u mirëprit nga nxënësit dhe mësimdhënësit, duke u shndërruar në një shembull të frymës së bashkëpunimit ndërshkollor dhe të promovimit të aktivitetit fizik, sportivitetit dhe shëndetit të mirë tek të rinjtë.
Qendra Sportive “Presheva” theksoi se do të vazhdojë me organizime të tilla, me qëllim të nxitjes së pjesëmarrjes së vajzave dhe djemve në sporte të ndryshme, si pjesë e zhvillimit të tyre personal dhe komunitar.