Pasivizimi i adresave si formë e diskriminimit

Ajo që do të duhej të ishte procedurë teknike është shndërruar në instrument përjashtimi. Një praktikë e tillë rrezikon të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtat politike të pakicës kombëtare shqiptare.


Pasivizimi i adresave përbën një lloj të pastër të diskriminimit të shqiptarëve në Serbi. Dëshmi për këtë konstatim janë të shumta, e njëri ndër dukshmit është fakti që instituti i pasivizimit zbatohet masivisht dhe në mënyrë sistematike në mënyrë të veçantë ndaj shqiptarëve. Kur janë në pyetje pakicat tjera kombëtare, sikur ajo hungareze apo kroate, një praktikë e tillë nuk ekziston as për së afërmi në masën e njejtë. Selektiviteti është i mjaftueshëm për të konfirmuar karakterin diskriminues të veprimit.

Problemi më i madh shihet në mungesën totale të kontrollit ndaj punës së policisë. Zyrtarët të cilët verifikojnë vendbanimet shkruajnë raporte në të cilat theksojnë nëse ndokush është hasur në adresën e deklaruar apo jo. Në bazë të atyre raporteve bihen vendime mbi pasivizimin, pa asnjë mekanizëm ligjor të verifikimit të vërtetësisë së tyre. Kjo praktikisht nënkupton që pjesëtarët e policisë mund të shkruajnë çfarë të dojnë – pa asnjë përgjegjësi. Problem të veçantë përbën edhe fakti që vendimet shpesh nuk u dërgohen qytetarëve, me çka iu zvogëlohet e drejta në ankesë dhe mbrojtje elementare.

Gjykatat edhe më shumë e thellojnë problemin. Në vend që të verifikojnë dëshmitë dhe mbrojnë qytetarët, gjykatësit e Gjykatës Administrative pa asnjë rezervë i pranojnë raportet e policisë sikur të njejta të jenë absolutisht të besueshme, duke injoruar dëshmitë tjera. Në këtë mënyrë pushteti gjyqësor faktikisht legjitimon veprimet antiligjore dhe merr pjesë në shkurtimin sistematik të të drejtave.

Pasojat janë serioze dhe të shumëllojshme: mijëra shqiptarëve nga jugu i Serbisë i është marrë e drejta e votimit dhe pjesëmarrjes në zgjedhje, e drejta për punë dhe përfitime sociale, mundësinë për të disponuar dhe trashëguar të pasurisë, deri tek e drejta themelore për mbrojtje shëndetësore. Me fjalë të tjera, pasivizimi i adresave është shndërruar në mekanizëm të përjashtimit të gjithë komunitetit nga jeta politike, shoqërore dhe ligjore të shtetit.

Shembujt qartë ilustrojnë absurditetin e kësaj praktike. Në një rast qytetari pas thirrjes nga policia, ka ardhur në stacion që personalisht të tërheq lejen e vozitjes, por në raportin e po asaj dite është theksuar se “nuk ka qenë në shtëpi”, e në bazë të kësaj është marrë vendim mbi pasivizimin. Në një rast tjetër, personi në periudhën e pandemisë ka qenë në sherim spitalor, në kohën e ndalesës së qarkullimit, por edhe në këtë rast ka marrë vendim mbi pasivizimin – pa asnjë njoftim. Në të dy rastet gjykatat kanë refuzuar të shqyrtojnë dëshmi të qartë dhe verbërisht i kanë besuar pretendimeve të policisë.

E tërë kjo vërteton se pasivizimi i adresave nuk është gabim teknik apo lëshim i izoluar administrativ, por keqpërdorim sistematik i një procedure, të shndërruar në instrument të diskriminimit.


Autori është avokat dhe ish-deputet popullor i Republikës së Serbisë. Qëndrimet e autorit janë personale dhe nuk përbëjnë dhe përfaqësojnë qëndrimet e redaksisë së PreshevaPRESS.

Related posts

“Vdekja, kjo Zonjë madhështore!” Çfarë shkroi Artur Zheji për vdekjen 1 vit më parë

Përvjetori me urrejtje: Tridhjetë vjet pas Stuhisë, Kroacia dhe Serbia po hedhin themelet për dhunë të re

Obljetnica s mržnjom: Trideset godina poslije Oluje, Hrvatska i Srbija udaraju temelje novom nasilju