15:12 ME 29 VOTA PRO SHPAT ALIU ZGJIDHET ZAVENDËSKRYETAR I KUVENDIT TË KOMUNËS SË PRESHEVËS
Për dallim nga Sami Salihu, kryetari i rizgjedhur i Kuvendit në Preshevë, Shpat Aliu ka arritur të sigurojë 29 vota për të u zgjedhur në pozitën e zavendësit të kryetarit të Kuvendit në Preshevë.
Votën për Aliun publikisht e ka deklaruar këshilltari i APN-së, Mendurim Presheva dhe shefi i gurpit të këshilltarëve të APN-së, Amir Latifi. Ata duke u deklaruar për votën e tyre, shprehën lavdrata dhe komplimente nga ana tyre për Shpat Aliun, gjë që rrall herë ndodh nga përfaqësuesit e APN-së.
14:45 ME 22 VOTA PRO SAMI SALIHU ZGJIDHET KRYETAR I KUVENDIT KOMUNAL NË PRESHEVË
Pas diskutimeve rreth kandidaturës së Sami Salihut për kryetar të Kuvendit të Komunës së Preshevës, rreth orës 14:00 ka filluar procesi i votimit të këshilltarëve të Kuvendit.
Komisioni ka konstatuar se procesi votimit është i rregullt dhe se është zhvilluar në pajtim me rregullat dhe ligjet përkatëse. Në votim kanë marrë pjesë 35 këshilltarë, prej të cilve 22 kanë votuar për zgjedhjen e Sami Salihut në pozitën e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Preshevës. Dhjetë këshilltarë kanë votuar kundër derisa 3 vota kanë qenë të pavlefshme.
Koalicioni PDSH, PVD, LR dhe UDSH, gjithsej kanë 22 këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Preshevës.
13:15 PËRFUNDOJNË DISKUTIMET, FILLON PROCESI I VOTIMIT PËR KRYETARIN E KUVENDIT KOMUNAL
Kanë përfunduar diskutimet rreth propozimit për kryetarin e Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu. Udhëheqësi i seancës konstituive, Naser Aziri, ka kërkuar nga komisioni i posazgjedhur të bëjë gati procesin votues për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Koalicioni i posaformuar mes PDSH, PVD, LR dhe UDSH, ka gjithsej 22 mandate. Pritet të fillojë votimi për kryetarin e Kuvendit të Komunës së Preshevës, proces i cili realizohet përmes votës së fsheht të këshilltarëve.
12:28 SEANCA KONSTITUIVE VAZHDON PA PËRKTHIM SIMULTANT NË GJUHËN SERBE
Sekretariati i Kuvendit të Komunës së Preshevës nuk ka ftuar asnjë përkthyes për përkthim simultan nga gjuha shqipe në atë serbe gjatë seancës konstituive, për dy këshilltarë të Listës Serbe.
Informacioni u konfirmua për portalin Nova.rs nga Branko Trajkoviq, kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në Preshevë, dhe një nga dy këshilltarët e Listës Serbe, e cila është në opozitë në Asamblenë e re.
Në seancën konstituive, e cila filloi sot pak para orës 11:00, qytetarët e Preshevës do të fitojnë një qeveri të re lokale pas konfirmimit të mandateve të Kuvendit të kësaj komune.
11:52 SHQIPRIM ARIFI DHE MENDURIM PRESHEVA HEDHIN AKUZA PËR LOKALIZËM
Në fjalimin e tij rreth pikës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Preshevës, këshilltari i APN-së, Mendurim Presheva, kryetari i tij Shqiprim Arifi, kanë hedhur akuza drejt partive që synojnë të krijojnë qeverisjen e re në Preshevë, se kanë propaganduar lokalizmin me qëllim të fitimit të votave gjatë fushatës elektorale.
Ata kanë hedhur akuza drejt Ardita Sinanit, kandidates për kryetare të Komunës së Preshevës, dhe Sami Salihut, kandidatit për kryetar të Kuvendit të Komunës së Preshevës, se në Preshevë dhe Rahovicë kanë kërkuar vota në bazë të lokalizmit.
Sinani dhe Salihu nuk janë përgjigjur në akuza.
11:00 FILLON PUNIMET SEANCA KONSTITUIVE E KUVENDIT KOMUNAL
Programet e ndryshme dhe grindjet me njëra-tjetrën, palët që hynë në garë në zgjedhjet lokale në Preshevë me një nga synimet e përbashkëta për të “hequr” kryetarin në largim të Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili konsiderohet bashkëpunëtor i ngushtë i qeverisë aktuale të Serbisë dhe një dorë e zgjatur të Aleksandar Vuçiç, duke nënshkruar një marrëveshje mbi një koalicion të ri përpara seancës konstituive, ata tani kanë 22 nga 38 vendet në Asamble, duke e bërë opozitë Alternativën e Arifit për Ndryshim me 14 vende dhe “Listën Serbe” me dy vende.
Seanca konstituive e Kuvendit të Komunës së Preshevës e cila ka filluar rreth orës 11, pas konfirmimit të mandateve të këshilltarëve komunal do të rezultojë me një qeveri të re.
Me marrëveshjen e djeshme, Lëvizja e Reformës së Sami Salihut (5 mandate), Partia Demokratike e Shqiptarëve të Ragmi Mustafës (9 mandate), Partia e Veprimit Demokratik e Deputetit Shaip Kamberi, e udhëhequr nga Ardit Sinani (7 mandate) dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve të Naser Azirit (1 mandat) krijuan shumicën në asamblenë komunale.