SEANCA E V-të E KUVENDIT TË PRESHEVËS FILLON PUNIMET ME 30 MINUTA VONESË

10:33 • Seanca e V-të e Kuvendit të Komunës së Preshevës e cila është ftuar për sot, ka filluar punimet me 30 minuta vonesë.

Për arsye jo të ditura për publikun, seanca e V-të e Kuvendit të Komunës së Preshevës ka filluar punimet me 30 minuta vonesë.

Për këtë seancë janë propozuar 5 pika të rendit të ditës për diskutim, nga të cilat dy janë rreth binjakzimit të Preshevës me komunën e Çairit dhe Likovës, propozim vendimi për organizimin dhe funksionimin e sigurisë civile në territorin e komunës së Preshevës, rishikimi i buxhetit të Komunës së Preshevës për vitin 2021 si dhe pyetjet e këshilltarëve. Pika më e nxehtë gjatë kësaj seance pritet të jetë rishikimi i buxhetit.

10:47 • Me propozim të këshilltarit të koalicionit qeverisës, Naser Aziri, në rend të ditës është shtuar pika për informimin rreth çështjes së procesit në lidhje me vërshimet e ndodhura në fshatrat Raincë dhe Rahovicë

Sikurse që ka premtuar në seancën e kaluar, Naser Aziri, këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Preshevës nga ana e Unionit Demokratik Shqiptar, ka përsëritur kërkesën që gjatë kësaj seance të diskutohet rreth proçesit dhe të arriturave në çështjen e kompenzimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në fshatrat Rahovicë dhe Raincë.

Pas diskutimit rreth pikave të rendit të ditës për seancën e V-të të Kuvendit të Komunës së Preshevës, me 37 vota për, është vendosur që diskutimi rreth propozimit të këshilltarit të UDSH-së të ndodhin në fund të seancës, respektivisht është vendosur që kjo pikë të mbetet e fundit.

Ndryshe, Unioni Demokratik Shqiptar është njëra nga partitë partnere në koalicionin qeverisës në Preshevë së bashku me PVD, PDSH dhe LR e që udhëhiqet nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

11:23 • Seanca fillon me diskutime të mëdha rreth vendimit për binjakzimin e Komunës së Preshevës dhe asaj të Çairit

Këshilltarët e opozitës në Kuvendin e Komunës së Preshevës kanë dalur kundër vendimit për thellimin e bashkëpunimit dhe shoqërorizimit të komunës së Preshevës dhe të Çairit.

Shefi i gurpit të këshilltarëve të APS-së, Amir Latifi, gjatë diskutimit të tij në lidhje me binjakëzimin e komunës së Preshevës me komunën e Çairit dhe Likovës, ka parashtruar pyetjen se pse Presheva po vazhdon të binjakëzohet me komuna të varfura, derisa këshilltari i APN-së, Argjend Sherifi ka kundërshtuar këtë vendim duke përmendur keqmenaxhimin e këtyre dy komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Me 22 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Komunës së Preshevës ka votuar vendimin për të binjakzuar komunën e Preshevës me atë të Çairit dhe Likovës.

11:45 • Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, fillon prezentimin e rishikimit të buxhetit të Komunës së Preshevës

Diskutimin për pikën e rendit të ditës rreth vendimit për rishikimn e buxhetit të Komunës së Preshevës për vitin 2021, ka hapur kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me ç`rast ka paraqitur ndryshimet e parapara me rishikim dhe arsyet që kanë sjellur deri te nevoja për rishikim të buxhetit komunal.

12:12 • Kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës ndërpret seancën 

Pas prezentimit të ndryshimeve në buxhetin komunal të Preshevës nga ana e Sinanit, fjalën për të diskutuar e ka marrë këshilltarja e APN-së, Almina Iljazi, me ç`rast pas pyetjes së sajë për mungesën e kryetares Sinani ose zëvendësit të saj Mustafa, kryetari i Kuvendit të Preshevës, Sami Salihu, ka ndërpre senacën duke e çuar në pauzë prej 5 minutave derisa të kthehet kryetarja Sinani në senacë.

Alternativa për Ndryshim në Preshevë gjatë seancës së tretë të Kuvendit të Komunës së Preshevës, më 6 korrik kishin penguar fjalimin e kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në shenjë proteste.

Këshilltarët e APN-së, në shenjë proteste kundër “fjalorit të saj dhe shpifjeve ndaj qytetarëve të komunës së Preshevës” siç pretendonin ata, kishin protestuar në seancë duke fishkëlluar për të pamundësuar diskutimin e kryetares Sinani në Kuvend.

APN gjithashtu kishin premtuar se nuk do të tërhiqen nga veprimi për të pamundësuar diskutimin e Sinanit në Kuvend, derisa ajo nuk do të kërkojë falje.

“Në seancën e fundit të kuvendit komunal këshilltarët e ALTERNATIVËS për Ndryshim kërkuan nga kryetarja jolegjitime të kërkoj falje për fjalorin e saj dhe shpifjet ndaj qytetarëve të komunës së Preshevës, pas skandaleve duke i quajtur qytetarët kafshë, akuza ndaj këshilltarëve të ALTERNATIVËS për Ndryshim, kërcënimeve në telefon dhe shpifjen e fundit duke shpifur për amoralitet në kabinetin e kaluar të komunës së Preshevës. Këshilltarët e ALTERNATIVËS për Ndryshim nuk do të ndalen së protestuari në kuvend deri sa kryetarja jolegjitime e komunës Ardita Sinani nuk kërkon falje për fjalorin e saj.” thuhej në postim të kësaj video të publikuar në faqen e APN-së në facebook.

Por, ajo që u pa sot gjatë seancës së V-të të Kuvendit të Komunës së Preshevës, është se këshilltarët e APN-së janë tërhequr nga vendimi për të i pamundësuar pjesëmarrjen kryetares Sinani në punimet e Kuvendit të Komunës së Preshevës.

13:30 • Kuvendi vazhdon punimet në kuadër të seancës së V-të

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, ka vazhduar seancën e V-të duke kërkuar kujdes nga këshilltarët e Kuvendit të i shmangen përplasjeve të panevojshme gjatë diskutimeve dhe që diskutimi të përqëndrohet në rendin e ditës.

Diskutimet kanë vazhduar me fjalën e këshilltares së APN-së, Almina Iljazi, e cila gjatë diskutimit ka potencuar se ndryshimet në buxhet janë parapri nga tejkalimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe kontratave. Pas Iljazit diskutimet rreth rishikimit të buxhetit të Komunës së Preshevës po vazhdojnë nga ana e këshilltarëve të opozitës të cilët po kritikojnë ndryshimet e bëra në buxhet.

Pas diskutimit të gjatë prej tri orësh, rishikimi i katërt i buxhetit të Komunës së Preshevës është votuar me 21 vota.

Related posts

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

Memeti i APN-së: Rritja e çmimeve për shërbimet e NP “Moravica” u bë në kundërshtim me ligjin