REAGON PD: VIKTIMIZIMI VAZHDON TË MBETET ARMA E VETME E PVD-së

Pas reagimit të degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc rreth problemeve brenda qeverisjes lokale në Bujanoc dhe akuzave të hedhura drejt PD-së, kjo e fundit ka reaguar përmes faqes së saj në facebook.


Partia Demokratike në këtë reagim ka thënë se dega e PVD-së në Bujanoc ka riaktivizuar armën e tyre të vetme ‘’viktimizimin’’.

Lexo edhe:
PVD në Bujanoc: Me loja tinzare po provohet të rrëzohet “Marrëveshja e Tiranës”

“Partia Demokratike vlerëson si gjest jo korrekt që të dilet në rrjetet sociale me reagime kundër PD-së, kurse në anën tjetër anëtarët e Këshillit Komunal të komunës së Bujanocit vazhdojnë të votojnë unanimisht të gjitha vendimet. Deri më sot, edhe këshilltarët e Kuvendit Komunal kanë ngritur dorën për ‘’diktatorin provincial’’ siç po e quani ju.” thuhet mes tjerash në reagimin e PD-së.

Sa i përket akuzave të hedhura nga ana e PVD-së për kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi, kin se po provon që të revoltojë PVD-në për të u larguar nga qeverisja lokale dhe për të krijuar mundësitë e bashkimit të partisë së presidentit Vuçiq në qeverisje lokale në Bujanoc, PD ka thënë se do ta respektojë deri në fund “Marrëveshjen e Tiranës”.

“Partia Demokratike do ta zbatojë marrëveshjen e Tiranës, e jo atë marrëveshje “dy vjet ti, dy vjet unë, e Nagipin ta lëmë në opozitë”. As Tirana zyrtare nuk pranon marrëveshje që keqpërdorimet dhe hajnitë të lejohen edhe më tej sikur kishte ngjarë në mandatin e kaluar.” thuhet në reagimin e PD-së në facebook.

Në vazhdim mund të lexoni reagimin e plotë të PD-së në faqen e saj në rrjetin social në facebook:

Viktimizimi vazhdon të mbetet arma e vetme e PVD-së

Partia Demokratike njofton gjithë opinionin se me ardhjen e saj në pushtet ka jetësuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë të komunës së Bujanocit për të bashkëqeverisur me partitë politike shqiptare për katër vitet e ardhshme. Për këtë gjë kemi pasur takime të shumta në zyrën e PD-së, e gjithashtu bisedimet i kemi vazhduar edhe në Tiranë, ku jemi dakorduar për të bashkëqeverisur në interes të të gjithë qytetarëve.

Andaj, në këtë drejtim Partia Demokratike që nga marrja e mandatit ka filluar menjëherë të punojë në interes të qytetarëve duke filluar me realizimin e projekteve të mbetura për vite të tëra gjatë qeverisjes së kaluar. Për vetëm 50 ditë të qeverisjes kemi arritur që të përfundojmë rrugën Muhoc – Zarbincë, rrugë kjo që u politizua aq shumë, e që kishte edhe raste të dyshimta korrupcioni gjatë mandatit të kaluar. Shumë shpejt do të rregullojmë edhe problemin e rrymës në fshatin Bilinicë, që u neglizhua nga pushteti i kaluar pa ndonjë arsye të theksuar. Po përmirësojmë gjendjen në N.P Komunalia, ku në qeverisjen e kaluar ishte pranë kollapsit. Paguam bursat e studentëve në vlerë prej 85.000 eurove, të cilët ju i premtuat që nga janari i këtij viti, e që patët për synim t’i shfrytëzoni për qëllime paraelektorale. Këto ditë do t’i paguajmë edhe ata praktikantë që kanë punuar edhe gjatë pandemisë, e ju i latë nën mëshirën e fatit pa asnjë dinarë. Për punën tonë 50 ditëshe po flasin të gjithë qytetarët.

Një pjese të PVD-së me gjasë po i pengojnë sukseset tona, dhe ka riaktivizuar armën e tyre të vetme ‘’viktimizimin’’. Partia Demokratike vlerëson si gjest jo korrekt që të dilet në rrjetet sociale me reagime kundër PD-së, kurse në anën tjetër anëtarët e Këshillit Komunal të komunës së Bujanocit vazhdojnë të votojnë unanimisht të gjitha vendimet. Deri më sot, edhe këshilltarët e Kuvendit Komunal kanë ngritur dorën për ‘’diktatorin provincial’’ siç po e quani ju.

Por, kryetari i komunës z.Nagip Arifi, kurse për ju ‘’diktator provincial’’ po udhëheq me sukses pushtetin, por ai asnjëherë nuk pranon që dikush të marrë rroga duke ndejtur nëpër kafiteri, praktikë kjo e juaja e kahmotshme, nuk pranon që dikush të mos vijë në punë përshkak gjendjes shëndetësore, kurse gjithë ditën endet rrugëve dhe kafiterive të qytetit. Të sëmurët ose qëndrojnë në shtëpi, ose në spital.

E kuptojmë brengën tuaj që dëshironi të viktimizoheni, pasi që keni frikën se do t’ju dalin në shesh të gjitha malverzimet që i bëtë gjatë mandatit të kaluar. I kemi parë maskarallëqet e juaja përmes faturave ku keni shpenzuar shuma marramendëse në dreka e darka, keni dhënë vendime për përfituesit e bujqëve ende pa u hapur kërkesat se kush ka aplikuar, keni tentuar që jashtëligjshëm t’i ndani mjetet për informim në ditën konstituive të Kuvendit. Keni bërë ç’mos, por për hir të unitetit nuk i bëmë publike. Nuk do të lodhemi shumë për të bëmat tuaja, ngaqë ato i vlerësuan qytetarët në ditën e votimit.

Sa i përket asaj se ne paskemi të preferuar partinë SNS, ju kujtojmë se ishte kryetari i PVD-së po ai që po dëshiron me çdo kusht të bëhet pjesë e qeverisë së Serbisë që udhëhiqet nga SNS. Është po kjo PVD e cila para katër viteve votoi programin e qeverisë së Serbisë ku nënvizonte se Kosova është pjesë e Serbisë.

Prandaj, Partia Demokratike e ka guximin që keqpërdorimeve dhe hajnive t’i thotë STOP.

Partia Demokratike mendon se ‘’Ditët e mira’’ vijnë me njerëz të përgjegjshëm, duke punuar, e jo duke u viktimizuar nëpër rrjetet sociale.

Partia Demokratike do ta zbatojë marrëveshjen e Tiranës, e jo atë marrëveshje “dy vjet ti, dy vjet unë, e Nagipin ta lëmë në opozitë”. As Tirana zyrtare nuk pranon marrëveshje që keqpërdorimet dhe hajnitë të lejohen edhe më tej sikur kishte ngjarë në mandatin e kaluar.

Mos u viktimizoni në emër të shqiptarisë, të cilën nuk e keni në zemër, pasi që është parë që të gjitha projektet në vendbanimet serbe i keni kryer gjatë mandatit të kaluar, kurse i keni anashkaluar ato në vendbanimet shqiptare.

Kështu që, para se të viktimizoheni, ejani në punë dhe kryeni obligimet që keni marrë. Ejani diskutoni për problemet e qytetarëve aty ku është vendi. Përndryshe, e gjithë kjo lojë e juaja e viktimizimit nuk do të shitet më. Qytetarët e kanë kuptuar më së miri, dhe më së miri e kanë shprehur në kutitë e votimit ditën e 21 qershorit.

Nëse mendoni se për ‘’një pleshtë të digjet jorgani’’, atëherë bëjeni. Sot, pa vonesë.

Shërbimi për Informim i PD-së

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”