PVD: Dokumenti 10 pikësh i Pajazitit i sajuar, pa mandat nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë

Partia për Veprim Demokratik ka reaguar në lidhje me planin 10 pikësh të kryetarit të Bujanocit, Arbër Pajaziti, të propozuar sot në takim me ministrin e Serbisë Demo Berisha.


Sot në një takim në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Suboticës, dega në Bujanoc, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, mori pjesë në një takim të përbashkët me ministrin për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, si dhe me drejtuesit e Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë.

Pajaziti i dorëzoi ministrit Berisha një dokument me 10 pika, të cilat, sipas tij, përbëjnë elemente të domosdoshme për krijimin e mirëbesimit mes institucioneve lokale dhe organeve shtetërore.

Në lidhje me këtë ka reaguar Partia për Veprim Demokratik, duke e cilësuar këtë dokument si të sajuar, dhe që i dhuron kohë Serbisë pas reagimeve të forta të ndërkombëtarve.

“PVD thekson se Arbër Pajaziti nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës, pasi shumica e tij politike në Bujanoc mbështetet mbi votat e SNS-së së Nenad Mitroviqit dhe jo mbi përfaqësim shqiptarë. Platforma e tij me “10 pika” është një dokument i sajuar, pa mandat nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë, pa koordinim me Kosovën e Shqipërinë dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare, po tenton t,i blejë kohë Serbisë për manipulime tjera, meqë vërejtjet e vazhdueshme që po vijnë nga ndërkombëtarët, si për mungesën e integrimit ashtu edhe për pasivizimin janë tregues se koha e llogaridhënies po ofron.” thuhet mes tjerash në kumtesën e PVD-së.

Në vazhdim ju sjellim Kumtesën e PVD-së të publikuar në rrjetin shoqëror Facebook:

KUMTESË

Partia për Veprim Demokratik rikujton opinionin publik, partnerët ndërkombëtarë dhe të gjitha subjektet politike shqiptare se Plani 7 Pikësh, i miratuar në mars 2013 nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, mbetet dokument politik i vetëm legjitim që artikulon kërkesat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ky plan është nënshkruar nga të gjitha partitë shqiptare të kohës (PVD, PDSH, PD, UDSH, LPD, BDL, RD) dhe u miratua me konsensus të plotë si platformë e përbashkët politike.

Në qershor 2013, Qeveria e Serbisë e aprovoi zyrtarisht këtë dokument dhe i ngarkoi ministritë përkatëse si dhe Trupin Koordinues me detyrën e zbatimit, proces ky që u zhvillua nën garancinë e faktorit ndërkombëtar – OSBE, BE, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Belgjika dhe grupi “Miqtë e Jugut”, si dhe Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare.

Megjithë obligimet e pranuara, për 12 vite me radhë, Serbia nuk ka treguar vullnet politik për ti zbatuar asnjë prej masave të Planit 7 Pikësh. Edhe procesi i ri i vitit 2022, i cili solli “Planin Aksional për integrimin e shqiptarëve 2023–2026”, i mbështetur nga BE dhe i koordinuar nga Këshilli i Evropës, deri më sot nuk ka gjetur zbatim praktik.

Kjo gjendje e vazhdueshme dëshmon për mungesën e vullnetit politik të Beogradit dhe prodhon diskriminim shtetërorë ndaj shqiptarëve të Luginës.

Në këtë kontekst, deklarata e ministrit serb të të Drejtave të Njeriut, Demo Berisha, se “Plani 7 Pikësh është tejkaluar dhe duhet një dokument i ri”, është e papranueshme, dhe paraqet një diversion politik për të shtyrë obliugimet që Serbia ka marrë ndaj shqiptarëve. Kjo sidomos për faktin që po imponohet një legjitimitet i bazuar në shumicën e ndërtuar nga SNS” për të hartuar një kornizë politike për të ardhmen e shqiptarëve.

Kjo paraqet një tentative të qartë për të zëvendësuar obligimet ekzistuese me premtime të reja boshe, duke shtyrë pafundësisht realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

PVD thekson se Arbër Pajaziti nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës, pasi shumica e tij politike në Bujanoc mbështetet mbi votat e SNS-së së Nenad Mitroviqit dhe jo mbi përfaqësim shqiptarë. Platforma e tij me “10 pika” është një dokument i sajuar, pa mandat nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë, pa koordinim me Kosovën e Shqipërinë dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare, po tenton t,i blejë kohë Serbisë për manipulime tjera, meqë vërejtjet e vazhdueshme që po vijnë nga ndërkombëtarët, si për mungesën e integrimit ashtu edhe për pasivizimin janë tregues se koha e llogaridhënies po ofron.

Takimet e organizuara me individë të “shoqërisë civile” për t’i paraqitur si “përfaqësues shqiptarë” përbëjnë instrumentalizim të procesit politik dhe ndërtim i përfaqësimit virtual dhe nuk mund të zëvendësojnë institucionet e zgjedhura legjitime të shqiptarëve.

PVD përshëndet vendimin e kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, për të refuzuar takimin me ministrin serb, duke mbrojtur kështu integritetin institucional dhe duke refuzuar pjesëmarrjen në spektakle politike pa rezultate konkrete. Bllokimi i Fondit për bujqësi dhe deklaratat kriminalizuese për KNSH-në të këtij ministri nuk lenë hapësirë për takime protokollare.

Në këto rretha kur memanipulime perfide të “fillimit të një dialogu të ri” me ministrinë në fjalë, Partia për Veprim Demokratik riafirmon se:

a) Plani 7 Pikësh është dokumenti i vetëm legjitim i shqiptarëve të Luginës, i miratuar konsensualisht dhe i pranuar nga Serbia;
b) Plani Aksional 2023–2026 është vijim i këtij procesi dhe duhet zbatuar menjëherë, jo zëvendësuar me dokumente të reja;
c) Përfaqësimi shqiptar duhet të bazohet në mandat të dhënë nga votuesit shqiptarë, jo në shumica artificiale me SNS-in;
d) Dialogu mund të ketë kuptim vetëm përmes institucioneve legjitime dhe me pjesmarrje ndërkombëtare, në koordinim me Kosovën e Shqipërinë;
e) Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe rezultate konkrete, jo për retorikë dhe skenarë të dialogut fiktiv.

PVD fton të gjitha forcat politike shqiptare në Luginë të qëndrojnë të bashkuara, të refuzojnë çdo tentim për të zëvendësuar dokumentet legjitime dhe të mos lejojnë që kauza kombëtare të instrumentalizohet nga interesat e Beogradit.

Poashtu, PVD, fton edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, në emër të të cilëve, për të ardhmen e shqiptarëve, si bashkëbisedues, paraqitet një imam dhe një gazetar i pensionuar, të distancohen nga këto lojra të dëmshme për kauzën tone të përbashkët.

Partia për Veprim Demokratik (PVD)
Preshevë, 23 shtator 2025

Related posts

Nxënësit evakuohen me urgjencë, kërcënime me bomba në shkolla në gjithë Serbinë

Faturat e rrymës nga ky muaj rriten për 6,6%, konsumatorët hyjnë më shpejt në “zonën e kuqe”

‘Business Connection II’ sjell biznesmenët nga i gjithë rajoni në Bujanoc