“Marrëveshja e shekullit” e presidentit amerikan, Donald Trump, për paqen në Lindjen e Mesme u prit me reagime të vakëta në Evropë dhe Kombe të Bashkuara.
Palestinezët dhe vendet kryesore myslimane nuk e pranuan. Palestinezët kanë hedhur poshtë planin duke e quajtur atë një “komplot”.
Plani parashikon një shtet palestinez dhe njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi vendbanimet e Bregut Perëndimor.
Jerusalemi do të mbetet kryeqyteti “i pandarë” i Izraelit, por kryeqyteti Palestinez do të “përfshijë zona të Jerusalemit Lindor”.
Mijëra palestinezë në Rripin e Gazës, zhvilluan protesta për të kundërshtuar planin, ndërsa ushtria izraelite vendosi përforcime në Bregun Perëndimor të okupuar.
Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, i cili u distancua nga propozimi i Trumpit, u shpreh me një dozë të talljes duke e përshkruar planin e paqes si “shuplakën e shekullit”.
“Të gjitha të drejtat tona nuk janë për shitje dhe nuk janë për pazare”, shtoi ai.
Pas takimit me akterë të ndryshëm palestinezë në Bregun Perëndimor, Abbas tha se “njerëzit tanë do ta dërgojnë atë (planin v.j)) në pluhurin e historisë”.
Reagime tjera për planin
Në Bruksel, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri një reagim të vakët, duke thënë se blloku do të “studiojë dhe vlerësojë” propozimet e Trumpit përmes prizmit që një “zgjidhje e zbatueshme e dy shteteve merr parasysh aspiratat e ligjshme të palestinezëve dhe izraelitëve”.
Moska gjithashtu tha se marrëveshja kërkon “analizë të hollësishme kur bëhet fjalë për reagimet e dy palëve [Autoritetit Palestinez dhe Izraelit] në konfliktin e vjetër të Lindjes së Mesme”.
Deklarata u bë nga Konstantin Kosachev, kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Këshillit të Federatës Ruse.
Ndërkohë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se “vetëm një zgjidhje me dy shtete, e pranueshme për të dyja palët, mund të çojë në një paqe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Kombet e Bashkuara thanë se preferojnë që kufijtë të njiheshin bazuar në ata që ishin në fuqi para luftës së vitit 1967, kur Izraeli okupoi Bregun Perëndimor dhe Gazën.
“Pozicioni i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen me dy shtete është përcaktuar, gjatë gjithë këtyre viteve, nga rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme”, tha Stephane Dujarric, një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Turqia u shpreh kundër planit. Ministria e Jashtme tha në një deklaratë projekti nuk do të sjellë një zgjidhje dy-shtetesh.
Arabia Saudite bëri thirrje për fillimin e negociatave të drejtpërdrejta midis palëve palestineze dhe izraelite.
“Mbretëria vlerëson përpjekjet e bëra nga administrata Trump për të zhvilluar një plan gjithëpërfshirës të paqes midis palëve izraelite dhe palestineze”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Irani e hodhi poshtë planin duke e quajtur atë “të turpshëm” dhe se i njëjti paraqet tradhti ndaj interesave palestineze, tha ministria e Jashtme iraniane.
Ministria e Jashtme e Egjiptit u shpreh me mëdyshje, duke bërë thirrje që “të dyja palët të bashkërendojnë një analizë të kujdesshme dhe të plotë të planit”.
Ashtu si Kombet e Bashkuara, edhe Jordania tha se e vetmja “rrugë e pranueshme për një paqe gjithëpërfshirëse dhe të fundit” do të bazohej në kufijtë e para-1967.
Plani i Paqes për Lindjen e Mesme u mirëprit në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në rrjetin social Tëitter, se e mbështet planin e Trumpit.
“Paqja është qëllimi përfundimtar dhe udhëheqësit nga të dyja palët duhet të tregojnë vizionin dhe ta jetësojnë atë. Bota po shikon dhe të gjithë do të inkurajohen për ta ndjekur këtë shembull”, ka shkruar Thaçi.
Cilat janë propozimet kryesore të Trumpit?
“Sot, Izraeli po bën një hap të madh drejt paqes” tha presidenti Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë gjatë prezantimit të planit së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Vizioni im paraqet një mundësi fitoreje për të dyja palët”, tha ai.
Propozimet e tij kryesor janë:
SHBA-të do të njohin sovranitetin e Izraelit mbi territorin e okupuar në Bregut Perëndimor, që plani i zotit Trump, parashikon të jetë pjesë e Izraelit.
Plani përfshin një hartë konceptuale për të cilën Trump thotë se ilustron kompromiset territoriale që Izraeli është i gatshëm të bëjë.
Në bazë të hartës do të “dyfishohej territori palestinez dhe do të sigurohej një kryeqytet palestinez në Jerusalemin lindor”, ku Trump tha se SHBA-ja do të hapte një ambasadë.
Organizata për Çlirimin e Palestinës tha se plani i zotit Trump do t’u jepte palestinezëve kontroll mbi 15% të asaj që e quajti “Palestina historike”.
Jerusalemi “do të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit”. Si Izraeli ashtu edhe palestinezët kanë pretendime ndaj qytetit të shenjtë.
Palestinezët insistojnë që Jerusalemi Lindor, të cilin Izraeli e pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. /REL