Mohammed Deif, lideri i krahut ushtarak të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – u vra nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës në korrik, tha të enjten ushtria izraelite.
Izraeli e konfirmoi vrasjen e Deif një ditë pasi lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në Teheran.
“IDF-ja [Forcat e Mbrojtjes së Izraelit] njofton se, më 13 korrik 2024, avionët luftarakë të IDF-së goditën zonat e Han Junisit, dhe pas një vlerësimi të inteligjencës, mund të konfirmohet se Mohammed Deif u eliminua në këtë sulm”, tha ushtria, raporton REL.
Hamasi nuk ka komentuar njoftimin e Izraelit për vrasjen e Deif, i cili u bë në ditën kur turma të mëdha njerëzish u mblodhën në Teheran për funeralin e Haniyehut.
Deif besohet se ka qenë njëri prej organizatorëve kryesorë të sulmit të Hamasit brenda Izraelit më 7 tetor, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen mbi 250 të tjerë. Ai sulm edhe e nxiti luftën tashmë 10-mujore në Gazë.
Si njëri prej figurave më mbizotëruese, Deif u ngrit në gradat e grupit gjatë 30 vjetëve, duke e zhvilluar rrjetin e tuneleve të Hamasit dhe ekspertizën e ndërtimit të bombave.
Ai ka qenë për shumë dekada në krye të listës së zezë të Izraelit.