09:14 Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar republikanin Trump dhe kandidatin e tij për nënpresident, Vance për fitore si “president dhe nënpresident të Shteteve të Bashkuara”.
“Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
08:33 Trump: Do t’i ndihmojmë shtetit të shërohet
Republikani Trump po u drejtohet mbështetësve të tij nga Florida.
Afër tij janë familjarët dhe pjesëtarë të ekipit politik, përfshirë të nominuarin për nënpresident, J.D.Vance.
Ai ka thënë para mbështetësve se kjo ka qenë lëvizja më e madhe politike në historinë amerikane.
“Do t’i ndihmojmë shtetit tonë të shërohet”, ka thënë Trump.
Deri më tani, Trump ka fituar 267 vota elektorale, ndërsa Harris 214.
Për të fituar, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 270 vota.
“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, ka thënë Trump, si referencë për fitoren e republikanëve në Senat, i cili deri më tani është kontrolluar nga Partia Demokratike.
08:17 Trump shpall fitoren: Një lëvizje e pabesueshme, do ju bëj të lumtur dhe krenarë
Kandidati republikan për president dhe sipas të gjithave presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është drejtuar mbështetësve të mbledhur në selinë e fushatës së tij në Floridë.
Ai e cilësoi fitoren në këto zgjedhje një lëvizje e pabesueshme që askush se kushte parë duke premtuar se do të bëjë gjithçka për t’i bërë krenarë amerikanët.
Trump tha: “Ne do të ndihmojmë vendin tonë të shërohet”, ndërsa u zotua të rregullojë kufijtë, duke shtuar se ai dhe partia e tij bënë histori për një arsye.
“Kjo është një fitore madhështore për popullin amerikan, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe,” shton ai, duke përdorur sloganin dhe frazën e tij të fushatës.