Përfaqësuesit institucional të Luginës takohen me senatorin Peters

Delegacioni i udhëheqësve institucional nga Lugina, në përbërje të deputetit të vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, kryetarët e komunës së Preshevës dhe Bujanocit, Shqiprim Arifi dhe Nagip Arifi, ish kryetari dhe kryetari aktual i KKSH-së, Ragmi Mustafi dhe  Nevzad Lutfiu, kanë zhvilluar takim me senatorin Gary Peters.


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, në kuadër të vizitës së senatorëve amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, ka organizuar një takim mes përfaqësuesve institucional të Luginës dhe senatorëve amerikan.

Me senatorin Gary Peters janë takuar deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarët e komunës së Preshevës dhe Bujanocit, Shqiprim Arifi dhe Nagip Arifi, ish kryetari dhe kryetari aktual i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi dhe  Nevzad Lutfiu.

Në takim me senatorin amerikan në Ambasadën e SHBA-së, udhëheqësit institucional të Luginës kanë biseduar rreth problematikave të përditshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Falemnderuam senatorin Peters për angazhimin e tij për senzibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës, jo veç në ShBA por edhe në Evropë dhe qendra tjera vendimmarrëse.” ka shkruar kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi në facebook.

Ndryshe nga kryetari i Bujanocit, deputeti Kamberi, përmes një postimi në facebook ka shkruar se kanë biseduar për problemet e shqiptarëve në Luginë, duke e quajtur senstorin Peters si mikun e Luginës.

“Lugina mbetet pjesë e agjendës së Senatit të SHBA

Një takim shumë produktiv me Senatorin amerikan Gary Peters,mikun e Luginës së Preshevës. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të trajtuar çështjet kritike me të cilat përballen shqiptarët veçanërisht duke u fokusuar në diskriminimin, nënpërfaqësimin dhe nevojën për reciprocitet me komunitetin serb në Kosovë.

Gjatë diskutimit, theksova sfidat dhe shqetësimet e komunitetit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe sigurimin e pjesëmarrjes së tyre aktive në sferën politike dhe sociale. Ne i shprehëm mirënjohjen Senatorit Peters për mbështetjen dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë.

Diskriminimi, pasivizimi I adresave e nënpërfaqësim diskutuam gjatë takimit. Theksova nevojën për përfshirje më të madhe të komunitetit shqiptar në proceset dhe institucionet republikane, ndërprerjen e diskriminimit e rikthimin e adresave.
Temë e rëndësishme e bisedës ishte çështja e reciprocitetit me komunitetin serb në Kosovë. Theksuam rëndësinë e një qasjeje të balancuar dhe marrëveshjeve reciproke të dobishme që adresojnë shqetësimet dhe aspiratat e shqiptarëve të Luginës në dialogun Kosovë-Serbi.

Mirënjohës Senatorit Gary Peters për mbështetjen e palëkundur dhe angazhimin e tij të sinqertë në adresimin e sfidave me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës dhe më gjerë.” ka shkruar Kamberi në facebook.

Kryetari i posazgjedhur i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, është kujdesur që transmetojë fjalimin e tij të plotë të mbajtur në takim.

Sot në ambasadën e SHBA-së, në Beograd u takuam me senatorin, z.Gary Peters.

Më poshtë po e paraqes fjalimin tim që kisha sot përballë senatorit.

Po ndjehem shumë i privilegjuar që sot kam rastin të bashkebisedojë me përfaqësuesit e një shteti që i takojnë anës së drejtë të botës, e për fatin e mirë të njerëzimit, sot ky shtet është superfuqi botërore.
Më lejoni t’ju njoftoj se, në krye të KNSH jam emëruar para pak ditëve dhe për mua është kënaqësi shumë e madhe që, takimi me përfaqësues të SHBA të jetë ndër takimet e para në krye të këtij institucioni.

-Pozita e kryetarit të Këshillit Nacional është detyra më e veshtirë, sepse përfaqëson shoqerinë më të diskriminuar ne rajon, është rast i vetëm në Europë dhe shumë i rallë në botë ku shteti e diskriminon nje pakicë vetem për shkak të përkatësië etnike.

Përshkak të kësaj gjendjeje, kemi një mungesë totale të perspektivës në Luginë.
Të rinjtë duke e parë këtë gjendje, kanë braktisur në mënyrë masovike vendin, ku edhe përkundër shkollimit të tyre, nuk kanë pasur mundësi që të integrohen nëpër institucionet që gjenden në Luginë të Preshevës.
Te rinjtë e Luginës që kanë studiuar në Kosove (e shumica prej tyre ka studiuar e vazhdojnë të studiojnë në Kosovë për shkak të afërsisë gjeografike), në Serbi nuk mund të punësohen, sepse nuk i njihen diplomat, pra e vetmja zgjidhje për ta është emigrimi (i detyruar).

Një fenomen tjetër i cili po zhvillohet në Serbi është ai i pasivizimit masiv të adresave të shqiptarëve të Luginës së Presheves.
Kemi edhe raporte ndërkombëtare që flasin për këtë fenomen i cili konsiderohet absolutisht shkelje e të drejtave të njeriut.

Janë vetem emrat tanë që na identifikojnë si shqiptarë në Serbi, të gjitha elementet e tjera të cilat dëshmojnë mbi përkatesinë etnike, janë inekzistente.

25.05.2023, Beograd

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi dhe ish kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, nuk kanë publikuar ende asgjë në lidhje me kētë takim në facebook.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”