Sonte hapet ekspozita përfundimtare e kolonisë artistike “LuginArt 2023” e realizuar në Preshevë dhe Bujanoc.
Në hapësirat e hotel “Rozafa” në Bujanoc, sonte me fillim në ora 20:00 hapet ekspozita përfundimtare e kolonisë artistike “LuginArt” 2023, në kuadër të së cilës do të shfaqen punimet e realizuara nga pjesëmarrësit në këtë koloni artistike.
Kolonia artistike “LuginArt 2023” është realizuar nga “Qendra Kulturore B” në Preshevë dhe Bujanoc. Derisa hapja solemne e kolonisë është mbajtur në Preshevë, ekspozita përmbyllëse do të mbahet në Bujanoc. Në këtë koloni kanë marrë pjesë më shumë se 20 artistë nga i gjithë rajoni.
Në kuadër të aktiviteteve të kolonisë artistike është shfaqur edhe primera e monodramës “Grua Gur” nga Egzona Salihu dhe nën regjinë e regjisores Afeida Mehmeti.
Kolonia artistike “LuginArt 2023” realizohet nga organizata joqeveritare “CultCenter B” e cila funksionon në Preshevë dhe Bujanoc, me përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar përmes Fondit të Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës.