PËRFAQËSUESIT E KËSHILLIT TË EVROPËS VIZITUAN KOMUNËN E BUJANOCIT

Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe kabinetin e Kryetarit të Bujanocit sot gjatë vizitës së parë në këtë komunë, qëndruan shefi i zyrës se Këshillit të Evropës, Tobias Flessenkemper dhe asistentja e tij Mona Alghaith.

Gjatë takimeve të përfaqësuesve të Këshillit të Evropës që zhvilluan në komunën e Bujanocit, u bisedua për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe (mos)realizimin e plotë të të drejtave të pakicave.

“Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione publike, mosrealizimi i të drejtave të garantuara me ligj dhe konventa ndërkombëtare dhe ngecja në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës po vazhdojnë të jenë preokupime të përditshme dhe betejë politike e institucionale e përfaqësuesve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e të parit të Komunës së Bujanocit, z.Shaip Kamberi.

Kamberi gjatë takimit ka theksuar se prezenca dhe përkrahja ndërkombëtare shihet si garancë e avancimit dhe realizimit të plotë të të drejtave tona kolektive. Përveç takimit me Kryetarin e Bujanocit, delegacioni i Këshillit të Evropës takoi edhe udhëheqësit e Këshillit Nacioanl Shqiptar, takim gjatë së cilit u njoftuan rreth mospërfshirjes së shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore dhe problemet e tjera të përditshme të shqiptarëve në këtë rajon.

“Ragmi Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij njoftuan shefin e Këshillit të Evropës për çështje si, pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; mospërfshirja e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore; problemet në arsim si mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe; sfida qe po rëndojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës.” thuhet në njoftimin e KNSH-së në Facebook.

Përveç njoftimeve të bëra nga i pari i Bujanocit dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, deri në këto momente nuk pati komunikata nga udhëheqësit e  Preshevës në lidhje me këtë delegacion. 

Related posts

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

Memeti i APN-së: Rritja e çmimeve për shërbimet e NP “Moravica” u bë në kundërshtim me ligjin