Pas raportimeve të takimeve të Kurtit me përfaqësuesit e PVD-së rreth qeverisjes së ardhshme në Komunën e Preshevës, ka raportuar ish sekretari i Alternativës për Ndryshim, Altin Boriçi.
PreshevaPRESS ka raportuar sot për takimin e Kurtit që pati ditën e djeshme me anëtarët e kryesisë dhe këshilltarët e degës së PVD-së në Preshevë, në të cilin është diskutuar rreth mundësive për themelimin e institucioneve të reja lokale në Preshevë.
Në lidhje me këtë lajm, përmes llogarisë së tij private në rrjetin shoqëror facebook, ka reaguar ish sekretari i Alternativës për Ndryshim dhe ish këshilltari në Kuvendin e Preshevës nga kjo parti, Altin Boriçi.
Boriçi e ka cilësuar veprimet e Kurtit të njejta me ato të Vuçiqit, dhe PVD-në në Luginë të njejtë me Listën Serbe në Kosovë, duke thënë se për fatin e tyre vendosin shefat e tyre që për qëllim nuk kanë zhvillimin, por destabilizimin.
“DJE u rrëzuam nga pushteti përmes votave të partisë së Aleksandër Vuçiçit, ndërsa SOT po luftohemi nga partia e Albin Kurti, madje nuk ka ndryshim veprimet e Vuçiçit dhe të Kurtit janë të njejta, sepse Lista Serbe në Veri të Kosovës dhe Partia për Veprim Demokratik në Luginë nuk mbajn mbledhje të rregullta, për fatin e tyre vendosin shefat e tyre që për qëllim nuk kanë zhvillimin, por destabilizimin.” ka shkruar mes tjerash Boriçi në rrjetin e tij shoqëror facebook.
PreshevaPRESS ka raportuar se kryeministri Kurti paraditen e së premtes ka pritur në takim anëtarët e kryesisë së degës së PVD-së në Preshevë, të shoqëruar me 11 këshilltarët e zgjedhur në Kuvendin e Preshevës në zgjedhjet e fundit lokale, të udhëhequr nga kryetarja e degës, Ardita Sinani.
Pas takimit me përfaqësuesit e degës së PVD-së në Preshevë, i pari i Qeverisë së Kosovës ka takuar edhe përfaqësuesit e koalicionit parazgjedhor në Bujanoc, në përbërje të kryetarit të PVD-së, Shaip Kamberi, kryetarit të PD-së, Nagip Arifi dhe kryetarit të LPD-së, Shqiprim Musliu.