Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovë, ku protestuesit serbë po sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarët.
Lutfiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se me shqetësim po përcjell gjendjen e rënduar në veri të Kosovës, ku po sulmohen Policia e Shtetit, trupat e KFOR-it dhe gazetarët e mediumeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilët janë në shërbim të rendit dhe lirisë, nga grupe e individë me maska.
Në vazhdim ju sjellim reagimin e plotë të Lutfiut:
Me shqetësim të thellë po përcjellim gjendjen e rënduar në veri të Kosovës, ku po sulmohen Policia e Shtetit, trupat e KFOR-it dhe gazetarët e mediumeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilët janë në shërbim të rendit dhe lirisë, nga grupe e individë me maska.
Situata e rënduar në komunat veriore të Kosovës na bën të ndjehemi edhe më keq kur kujtojmë qasjen diskriminuese dhe shtypëse të Serbisë karshi qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe mungesën e një serioziteti ndërkombëtar për të ofruar një perspektivë të qëndrueshme në raport me shqiptarët pakicë.
Lugina e Preshevës ndjehet tërësisht e përjashtuar nga Serbia. Megjithatë qytetarët e Luginës janë pjesë e institucioneve të ndërtuara nga ky shtet dhe nuk barrikadojnë në asnjë rrethanë asnjë përpjekje për ndyshime pozitive. Fatkeqësia është se nuk ka përpjekje të tilla dhe Lugina vazhdon të jetë vendi më i diskriminuar, jo vetëm në Evropë.
Pavarësisht kësaj, apeli ynë është që të jemi pjesë e zgjidhjeve të përhershme, duke respektuar të drejtat legjitime të pakicave, pavarësisht nacionalitetit që përfaqësojnë.
Me respekt
Nevzad Lutfiu
Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar