KKZ në Bujanoc refuzon kërkesën për rivotim në dy vendvotime

Komisioni Komunal Zgjedhor në Bujanoc ka refuzuar kërkesën e Koalicionit të shqiptarëve të Luginës për rivotim në dy vendvotime në territorin e komunës së Bujanocit.


Përmes një njoftimi të Shtabit zgjedhor të kësaj liste, të publikuar në faqen e Partisë për Veprim Demokratik, Koalicioni i shqiptarëve të Luginës ka njoftuar se ankesat e parashtruara para Komisionit Komunal Zgjedhor të Bujanocit, përmes të cilave është kërkuar anulimi i zgjedhjeve dhe rivotimi në këto dy vendvotime, janë refuzuar.

“Përfaqësuesit e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, për shkak të lëshimeve ligjore që janë bërë në procesin e votimit në këto dy vendvotime, gjatë ditës sot i kanë dorëzuar sot Komisionit komunal zgjedhorë në Bujanoc kërkesë për rivotim në dy vendvotime në Komunën e Bujanocit.” thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e PVD-së në facebook.

Sipas Koalicionit të shqiptarëve të Luginës në vendvotimin nr 6 në Tërrnoc, dhe në atë numër 13 në Zarbincë, ka pasur shkelje të rënda të procesit zgjedhor, arsye për të cilën është kërkuar rivotim.

“Edhe pse shkeljet e evidentuara paraqesin shkelje të rënda të procesit zgjedhor, në bazë të Ligjit për zgjedhjen e deputetëve popullorë, Komisioni komunal zgjedhor në përbërje të zgjeruar, në të cilën dominojnë përfaqësuesit e partive serbe, me 9 vota për dhe 12 kundër, ka hedhur poshtë kërkesën e Koalicionit të shqiptarëve të Luginës.” njofton PVD në njoftim.

PVD njofton opinionin publik se pas vendimit të KKZ në Bujanoc do të paraqesë ankesën e njejtë bazuar në mundësitë ligjore për zgjedhjen e deputetëve popullorë.

“Duke ndjekur procedurat ligjore Koalicioni I shqiptarëve të Luginës, do t’I paraqesë kundërshtimin e vet Komisionit Republikan Zgjedhor, nga I cili do të kërkojë anulimin e zgjehdjeve në këto dy vendvotime. Në rast të refuzimit të kërkesës, lënda do të adresohet në Gjykatën administrative e cila paraqet instancën e fundit në këtë proces.” përfundon njoftimi i shtabit zgjedhor të Koalicionit të shqiptarëve të Luginës të publikuar në faqen e PVD-së në facebook.

Koalicioni i shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet e 3 prillit, sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Republikan Zgjedhor ka siguruar rreth 9630 vota, e që nuk janë të mjaftueshme për një mandat të deputetit popullor.

Related posts

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

Memeti i APN-së: Rritja e çmimeve për shërbimet e NP “Moravica” u bë në kundërshtim me ligjin