Dokument / Shkresa zyrtare e Sinanit dërguar ministrit Daçiq për hapjen e kufirit Miratoc – Llojan

Kryetarja Sinani ka kërkuar nga ministri Daçiq hapjen e pikës kufitare me Maqedoninë e Veriut.


Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me kërkesën për rifillimin e procedurave për hapjen e një pikës kufitare të shumë përfolur ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në zonën Miratoc–Llojan, në territorin e komunës së Preshevës.

Në këtë kërkesë zyrtare, e siguruar nga PreshevaPRESS, Sinani thekson se kjo iniciativë është e domosdoshme për banorët lokalë dhe për bashkëpunimin ndërkufitar. 

“Kjo iniciativë buron nga nevojat e popullatës lokale dhe nevoja për një bashkëpunim gjithnjë më të thelluar ndërkufitar, si në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, ashtu edhe në atë të lidhjeve sociale dhe kulturore mes qytetarëve nga të dy anët e kufirit.” thuhet në shkresë.

Sipas saj, hapja e një pike të re kufitare në këtë zonë do të ndikonte në mënyrë direkte në zhvillimin e rajonit dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.

“Hapja e një pike të re kufitare do të mundësonte lëvizjen më efikase të njerëzve dhe mallrave, çka do të kontribuonte drejtpërdrejt në zhvillimin e zonave kufitare, uljen e papunësisë dhe forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.” thuhet mes tjerash në shkresën e Sinanit dërguar ministrit Daçiq.

Kjo iniciativë, siç kujton Sinani, është ngritur për herë të parë që në vitin 2005 dhe ka kaluar nëpër disa faza ligjore dhe politike. Komuna e Preshevës ka qenë më parë pjesë e një Grupi të Përbashkët Punues me qeverinë e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por, për fat të keq, puna e këtij Grupi Pune u ndërpre në fund të vitit 2022.

Në shkresën drejtuar ministrit Daçiq, Sinani ka kërkuar që të bëhen inspektime në terren për të identifikuar lokacionin më të përshtatshëm për vendosjen e kalimit kufitar, dhe që të rifillojë puna e përbashkët me institucionet përkatëse nga Shkupi.

Në fund të letrës, ajo thekson gatishmërinë e plotë të komunës për bashkëpunim me institucionet qendrore.

“Kështu, shprehim gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për realizimin e kësaj iniciative.” përfundon shkresa zyrtare e Sinanit dërguar ministrit Daçiq, e siguruar ekskluzivisht nga PreshevaPRESS.

Komuna e Preshevës pret që kjo kërkesë të merret në shqyrtim serioz nga autoritetet e Beogradit dhe të mbështetet si një hap konkret për zhvillimin e zonës kufitare dhe përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të saj.

Related posts

Sinani riaktualizon iniciativën për hapjen e pikës kufitare Miratoc–Llojan

Enti Parashkollor “8 Marsi” me pamje të re dekorative të rrethojave

Nesër Presheva mbetet pa energji elektrike

/