Fillimi i vitit 2021 nuk ishte i mbarë për banorët e disa fshatrave në komunën e Bujanocit, pasi që atyre iu shkaktuan probleme prej vërshimeve nga reshjet e shumta të shiut.
Konçuli e Lluçani janë dy fshatrat që patën dëmet më të mëdha pas vërshimeve, gjë që e shtyri Komunën e Bujanocit të shpallin situatën e jashtëzakonshme më 12 janar të këtij viti. Edhe pse puna e komisionit për vlerësimin e dëmeve ende nuk ka përfunduar, deri më tani ne Komunës e Bujanocit nga qytetarët janë paraqitur rreth 200 kërkesa për dëmshpërblim.
Sipas një parallogarie pre eliminare mendohet se kompensimet për dëmet e krijuara nga vërshimet në territorin e Komunës së Bujanocit do të arrijë shumën mbi 1 milion euro. Deri më sot, sipas kryetarit të Bujnocit, Nagip Arifi, vetëm Qeveria e Kosovës është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bujanocit për ndihmë, duke dhuruar 200 mijë euro.
Edhe pse sipas përvojës së mëhershme, transferi i mjeteve të dhuruara nga Republika e Kosovës për komunat shqiptare në jug të Serbisë ka ditur që të komplikohet dhe vonohet mjaftueshëm, kryetari Arifi kësaj here shpreson se nuk do të ballafaqohet me pengesat e zakonshme për transferimin e ndihmës së qeverisë Hoti, sikurse ka ndodhur me rastet e më hershme.
Komisioni për vlerësimin e dëmeve bujqësore dhe infrastrukturore përfundon më 12 shkurt, datë kjo kur do të mësohet saktësisht vlera e dëmeve të shkaktuara në territorin e Komunës së Bujanocit nga vërshimet e 11 janarit të këtij viti.