Pas seancës konstituive dhe zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, një pauzë i parapriu seancës së parë të Kuvendit Komunal të Bujanocit, e që në rend dite ishte zgjedhja e kryetarit të komunës, zëvendësit të tij dhe e Këshillit Komunal.
Me fillimin e seancës së parë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Bujanocit, të thirrur nga kryetari i posazgjedhur Driton Rexhepi, e që në rend të ditës kishte zgjedhjen e kryetarit të komunës, zëvendësit dhe përbërjes së re të Këshillit Komunal, në sallën e Kuvendit janë rikthyer edhe këshilltarët e LPD, PD dhe PVD.
Kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi, është shprehur krenar për punën të cilën tha se e ka bërë që nga viti 2002, dhe veçoi mandatin e fundit katërvjeçar ndërsa nuk harroi të falenderoj edhe familjen e tij për mbështetjen.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Driton Rexhepi, ka propozuar Arbër Pajazitin si kandidat për kryetar të komunës së Bujanocit, derisa Pajaziti më pas si kandidat për kryetar i Komunës ka propozuar zëvendësin e tij dhe përbërjen e re të Këshillit Komunal të Komunës së Bujanocit.
Këshilltarët e LPD, PD dhe PVD kanë braktisur seancën e parë të Kuvendit Komunal të Bujanocit ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të komunës, zëvendësit dhe Këshillit Komunal. Paraprakisht këshilltarët e PVD-së, Ragmi Mustafi, Enver Ramadani dhe Rahim Salihi e quajtën propozimin e përbërjës së Këshillit Komunal të dëmshëm duke theksuar se ai ka një pakicë shqiptare dhe se kjo mund të reflektohet në shumë sfera, sidomos gjatë aprovimit të buxhetit.
Diskutuesit ripërsëritën përbërjen e letrës ofertuese të tre subjekteve duke potencuar se Arbër Pajaziti vetëm në këtë mënyrë do të ishte kryetar real.
Me 23 vota “Për” dhe asnjë “Kundër”, Arbër Pajaziti është zgjedhur kryetar i ri i komunës së Bujanocit, në Kuvendin që ka 41 këshilltarë. Në votim nuk morrën pjesë 18 prej tyre sikur se në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pajaziti ka të mbaruar fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, jeton në Tërnoc. Është i martur dhe baba i tre fëmijëve.