Me 23 vota për, Driton Rexhepi është zgjedhur kryetar në Kuvendin e Komunës së Bujanocit

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit të Komunës së Bujanocit, gjatë së cilës janë zgjedhur edhe udhëheqja e re e këtij institucioni, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2 qershor 2024. 


Seanca konstituive e Kuvendit Komunal të Bujanocit, e thirrur nga kryetari i deritanishëm, Enver Ramadai, ka zhvilluar dje punimet nën udhëheqjen e këshilltarit më të vjetër në moshë në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Stojança Arsiq.

Fillimisht siç e kërkon procedura ligjore, këshilltarët e posazgjedhur japin betimin, dhe me këtë hap verifikohen mandatet e këshillëtarëve, e që hapet rruga për konstituimin e Kuvendit përmes zgjedhjes së kryetarit dhe sekretarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit.

Me propozim të partisë fituese në zgjedhjet lokale në Bujanoc të mbajtura më 2 qershor 2024, Fronti për Ndryshim ka propuar Driton Rexhepin për kryetar të Kuvendit Komunal, duke bashkangjitur nënshkrimet e 22 këshilltarëve.

Në pjesën e debatit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Bujanocit, kanë debatuar përfaqësues të partive shqiptare që kanë mbetur në opozitë, duke kritikuar Frontin për Ndryshim për krijimin e koalcionit me partitë që përfaqësojnë serbët dhe romët lokal.

Bartësi i listës së PVD-së në zgjedhjet lokale, Ragmi Mustafi, është i paraqitur i pari në foltore në kuadër të diskutimeve për propozimin rreth zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit Komunal, i cili është ndalur në raportet personale me të propozuarin për kryetar Driton Rexhepin për të kaluar pastaj në fushatën zgjedhore dhe, siç tha, akuzat ndaj tij lidhur më fondet në Këshillin Nacional. Duke folur për koalicionin qeverisës, Mustafi tha se ky koalicion nuk buron nga elektorati lokal por nga Beogradi.

Pas Mustafit në foltore është paraqitur Enver Ramadani, kryetari i deritanishëm i Kuvendit të Bujanocit, i cili tha se koalicioni 2020-2024 ishte më i miri ndonjëherë, pasi që kishte ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë, derisa udhëheqësisë së re të Bujanocit i tha se munden të llogaritin vetëm në ndihmën e SNS-it.

Në debatin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Bujanocit morrën pjesë edhe përfaqësues të PD-së dhe LPD-së, të cilët akuzuan Frontin për Ndryshim rreth bashkëpunimin me partitë serbe dhe rome, diskutim pas të cilit këshillëtarët e bllokut të partive shqiptare kanë braktisur punimet e seancës konstituive të KK të Bujanocit.

Me daljen nga seanca konstituive e Kuvendit të Bujanocit të këshillëtarëve të partive opozitare, punimet e seancës janë ndërprerë për një pauzë të shkurtër gjatë së cilës janë përgatitur materjalet për procesin zgjedhor të kryetarit, e që kandidat i vetëm ishte Driton Rexhepi.

Me 23 vota “Për” dhe asnjë “Kundër”, Driton Rexhepi nga Fronti për Ndryshim është zgjedhur kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, derisa në votim nuk kanë marrë pjesë këshilltarët e LPD, PD dhe PVD.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”