Tryezë e rrumbullakët për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ndalimin e diskriminimit

Në kuadër të debatit publik për Draft-ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ndalimin e diskriminimit, sot në Pallatin e Serbisë u mbajt një tryezë e rrumbullakët që mblodhi përfaqësues të organeve të administratës shtetërore, institucioneve të pavarura, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe organizatave të shoqërisë civile.


Të pranishmit i përshëndeti ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe dialogun shoqëror, Demo Berisha, i cili theksoi se qëllimi i ndryshimeve të propozuara është përmirësimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, në përputhje me standardet bashkëkohore dhe nevojat e shoqërisë.

Ai shtoi se ministria përkatëse do të shqyrtojë me kujdes të gjitha propozimet dhe sugjerimet e paraqitura.

Tryeza u moderua nga sekretarja shtetërore Livia Paviçeviq, e cila theksoi rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për ndalimin e diskriminimit, me qëllim harmonizimin me acquis të Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e rekomandimeve të Këshillit të Evropës, si dhe forcimin e mëtejshëm të institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë.

Në këtë drejtim, ajo veçoi posaçërisht mundësinë e veprimit sipas detyrës zyrtare, e cila me ndryshimet e reja do të lejohet edhe në rastet kur Komisionerit nuk i është paraqitur ankesë, por ekzistojnë indikacione se ka ndodhur një akt diskriminimi.

Debati publik për Draft-ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ndalimin e diskriminimit do të zgjasë deri më 29 prill, ndërsa palët e interesuara mund të njihen me tekstin e Draft-ligjit dhe të paraqesin komentet e tyre përmes faqes zyrtare të ministries, thuhet në faqen e Ministrisë së lartpërmendur.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Producenti Sokol Guga gati të sjell spektaklin e Shën Terezës në Ulqin

PreshevaPRESS

Tragjedi në Llap / Pasi vrau të dashurin, 31-vjeçarja e mori peng gruan e axhës

PreshevaPRESS

Bënin thirrje për xhihad, tri vjet burgim për dy të akuarit

PreshevaPRESS