Qeveria e Serbisë rekomandon pushim për besimtarët myslimanë gjatë ditëve të Kurban Bajramit.
Qeveria e Republikës së Serbisë ka miratuar një propozim-vendim me të cilin u rekomandohet punëdhënësve në territorin e Republikës së Serbisë që t’u mundësojnë të punësuarve që i takojnë besimit Islam, të mos punojnë më 28 dhe 29 maj 2026, përkatësisht ditën e dytë dhe të tretë të festës së Kurban Bajramit.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar nga Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale e Serbisë në faqen e sajë të internetit, e cila ka vlerësuar këtë vendim si “një hap të qartë në afirmimin e të drejtave fetare dhe respektimin e identitetit të të gjithë qytetarëve të Serbisë”.
Në reagimin e saj, ministria ka theksuar se Republika e Serbisë “vazhdon të ndërtojë një shoqëri të bazuar në respekt të ndërsjellë, tolerancë dhe barazi për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre fetare dhe kombëtare”.
Po ashtu, ministria u ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit, duke u dëshiruar që ditët festive t’i kalojnë “në paqe, shëndet dhe mirëqenie familjare”
