Shoqëria Kulturore Artistike “Presheva” ka njoftuar se ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në Edicionin e VII-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës Popullore “N’konak të Rahovecit na bashkon Kënga Shqipe”, i cili do të mbahet më 18 nëntor 2025, në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, SHKA “Presheva” ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për organizatorët, duke e vlerësuar festivalin si një ngjarje të rëndësishme kulturore që bashkon shoqëritë artistike nga trevat shqiptare dhe diaspora, përmes këngës, vallës dhe muzikës tradicionale.
“Është nder dhe kënaqësi për ne të jemi pjesë e këtij manifestimi kulturor. Premtojmë pjesëmarrje me program të pasur artistik dhe me synimin për të kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore,” thuhet në reagimin e SHKA “Presheva”.
Festivali, i cili organizohet nga Komuna e Rahovecit, synon promovimin e folklorit shqiptar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ansambleve kulturore në mbarë hapësirën shqiptare.
Ky do të jetë aktiviteti i parë i SHKA “Presheva” pas vendimit të marrë muajin e kaluar për të riorganizuar dhe rivënë në lëvizje aktivitetet e shoqatës.


