Foto: Shefqet Cakolli

Shënohet njëzet e një vjetori i ansamblit “Arbëresha” në Zvicër

Në një atmosferë festive dhe me një pjesëmarrje të gjerë, ansambli “Arbëresha” në Sirnach, Zvicër shënoi 21-vjetorin e tij me një event të veçantë kulturor.


Ky përvjetor, i cili tashmë është bërë një traditë e konsoliduar, u realizua me mbështetjen e donatorëve dhe sponsorëve, ndërsa publiku pati mundësinë të merrte pjesë duke kontribuar me një çmim të caktuar hyrjeje.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe SH.K.A. “Dardania” nga Winterthuri, e cila në nëntor festoi 30-vjetorin e themelimit të saj. Përvjetori i ansamblit “Arbëresha” këtë vit u organizua në bashkëpunim me ansamblin “Shqiponja” nga Luzerni dhe dy misionet katolike të Sirnachut dhe Luzernit. Eventi mblodhi gjithashtu shumë shoqëri artistike dhe ansamble shqiptare që veprojnë në Zvicër.

Një nga momentet kulmore të mbrëmjes ishte prezantimi i dy premierave të përgatitura nga koreografi dhe udhëheqësi artistik Fadil Zeneli, i SH.K.A. “Emin Duraku” nga Shkupi. Me një potpuri të pasur vallesh tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, ansambli “Arbëresha” mahniti të pranishmit.

Në këtë festë nuk mungoi as prania e diplomacisë shqiptare. Shefi i misionit konsullor në Cyrih, z. Vigan Berisha, përshëndeti të ftuarit dhe vlerësoi rolin e ansambleve shqiptare në ruajtjen dhe promovimin e kulturës kombëtare.

Pjesa argëtuese e mbrëmjes u gjallërua nga këngëtari Valon Islamaj, i cili me interpretimet e tij ngriti në këmbë të pranishmit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.

Eventi u zhvillua në një sallë të madhe në Frauenfeld, e mbushur plot me adhurues të kulturës shqiptare, të cilët shijuan jo vetëm programin artistik, por edhe ushqimet dhe pijet tradicionale.

Ansambli “Arbëresha” falënderoi koreografët Fadil, Avni dhe Xheneta Zeneli për punën dhe përkushtimin e tyre, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në suksesin e këtij përvjetori të rëndësishëm.

Me një histori 21-vjeçare dhe një përkushtim të vazhdueshëm, ansambli “Arbëresha” mbetet një prej ambasadorëve më të denjë të kulturës dhe traditës shqiptare në diasporë.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Teatri i Qytetit në Preshevë vë në skenë premierën e shfaqes “Një dorëzim”

PreshevaPRESS

Egzona Salihu fiton betejën gjyqësore kundër Shtëpisë së Kulturës, rikthehet në Teatër

PreshevaPRESS

Teatri i Preshevës ka filluar provat për shfaqjen më të re, “Një dorëzim në Spokan”

PreshevaPRESS