Kuvendi i Komunës së Bujanocit ka shpallur “Qytetar nderi” ministrin Gent Cakaj.
Kryetari i Kuvendit komunal në Bujanoc, Enver Ramadani, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social facebook, ka njoftuar se Ministri në detyrë për Punët e jashtme dhe Evropën i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, është shpallur nga Kuvendi i Komunës së Bujanocit “Qytetar nderi”.
Ai përmes këtij postimi ka thënë se Cakaj i dha shpresë Bujanocit, në momentin kur kjo komunë e vogël po vazhdon të anashkalohet nga institucionet më të larta shtetërore të Serbisë.
“Mbështetja e tij e pashoq për komunën e Bujanocit dhe qytetarët e saj në fusha të ndryshme dhe bashkëjetësimin e vlerave pro-evropiane e bëjnë “Qytetar Nderi” për nderin e respektin që ia kushtojë një komune të vogël e krejt të harruar nga gjithë ata që kishin obligime institucionale për ta mbështetur.” ka shkruar Ramadani në postimin e tij në facebook.
Me 25 vota të këshilltarëve shqiptarë në Kuvendin e Komunës së Bujanocit, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Cakaj është shpallur “Qytetar Nderi”, derisa në seancë nuk kanë marrë pjesë këshilltarët e partive serbe.
Në vazhdim ju sjellim postimin e plotë të kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, të publikuar në profilin e tij në rrjetin social facebook:
Ministri Gent Cakaj shpallet “Qytetar nderi” i Komunës së Bujanocit
Sot kemi një rast shumë të veçantë e nuk besoj se mund të kishte rastësi më të bukur se sa në përballjet tona me pengesat e pa merituara me jetën e përditshme të na gjinden miq. E që ne në emër të qytetarëve të Bujanocit të nderojmë e shprehim mirënjohjen tonë.
Padyshim miku më i madh në këtë kohë është z. Gent Cakaj. Në një kohë kur zyrtare më të larte si president, kryeministër e ministra anashkalonin institucionet tona të dala nga vota demokratike, Cakaj ishte ai që inkurajojë demokracinë në mesin tonë e barazinë për gjithë qytetarët e Bujanocit. Pra, i dha shpresë përmes vlerave më të larta demokratike e evropiane të bashkëjetesës.
Sot është një ditë e shenjuar për të gjithë qytetarët e Bujanocit.
Mbështetja e tij e pashoq për komunën e Bujanocit dhe qytetarët e saj në fusha të ndryshme dhe bashkëjetësimin e vlerave pro-evropiane e bëjnë “Qytetar Nderi” për nderin e respektin që ia kushtojë një komune të vogël e krejt të harruar nga gjithë ata që kishin obligime institucionale për ta mbështetur.
Duke pasur parasysh angazhimin dhe përpjekjet e tij për të përmirësuar situatën ekonomike në komunën tonë, bashkëpunimin e pakushtëzuar në të gjitha fushat e tjera, besoj dhe jam i bindur se Ministri Gent Cakaj është i denjë të jetë mbajtës i titullit “Qytetar Nderi” i Komunës së Bujanocit.
Duke nderuar personalitetet e profilit te larte siç është z. Gent Cakaj ne i ndërlidhim ata më shumë e më fortë me qytetin dhe bashkëqytetarët tanë.
Andaj në emër të gjithë këshilltarëve të nënshkruar në iniciativë, në emrin tim personal dhe në cilësinë e kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit ju ftoj që ta mbështesni dhe përkrahni këtë iniciative dhe votoni këtë Propozim vendim.
Enver Ramadani
Kryetar i KK Bujanoc