KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

“Integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në institucionet publike (në nivel jolokal) që në thelbin e tij është ‘më qenësori i procesit paqësor’ mbetet edhe më i dështuari në implementim nga qëllimet e përcaktuara në procesin e paskonfliktit“, ka deklaruar Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në tribunën „(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, në prani të përfaqësuesve intitucional, politik dhe të shoqërisë civile.


Përfaqësimi/integrimi në institucionet publike nënkupton marrjen e masave urgjente për të siguruar ‘pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore’ në përputhje me ‘strukturën proporcionale të popullsisë së këtyre komunave’. Kjo kërkesë bazohet në Nenin 21 të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, Neni 77 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe Neni 15 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, që ju garanton minoriteteve ‘pjesëmarrjen në jetën publike dhe barazinë me rastin e punësimit në shërbimet publike’.

Mirëpo, megjithë këtë kornizë kushtetuese dhe ligjore, si dhe megjithë tri marrëveshjet e posaçme për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, të dhënat dëshmojnë nënpërfaqësimin e lartë të shqiptarëve në institucionet e nivelit rajonal dhe republikan, në komunën e Medvegjës edhe në nivel lokal.

Me këtë rast, përgjatë diskutimit u ngrit edhe çështja e shumetnicitetit në nivel komunal, ku nuk është respektuar ndërvite ‘parimi i qeverisjes shumetnike’ në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke reflektuar vështirësitë e ndërtimit të institucioneve shumetnike edhe në nivel lokal.

Deputeti i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, ka theksuar se i tërë procesi i paskonfliktit në përgjithësi, si dhe integrimi i shqiptarëve në institucione në veçanti, po stagnon nga viti 2003, e që mund të ndërlidhet edhe me vrasjen e ish-kryeminsitrit Zoran Gjingjiq. „I ashtuquajturi proces paqësor, përkatësisht integrimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit, që ishte ndër synimet e Planit dhe Programit qeveritar për zgjidhjen e konflikteve në Luginën e Preshevës, pati rezultate pozitive vetëm në fazën fillestare (2001-2003)”, ka shtuar ai.

Me rastin e kësaj tribune është prezentuar edhe hulumtimi „Procesi i paskonfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: (Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”, ku shqyrtohet pozita aktuale dhe sfidat e mundësitë të procesit të integrimit të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë. Ky hulumtim trajton përparimet, ngecjet dhe vështirësitë kryesore të procesit së paskonfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; duke adresuar aktet ndërkombëtare dhe normat kushtetuese e ligjore të cilat trajtojnë çështjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare, dokumentet kryesore që janë rezultat i marrëveshjeve ndërmjet autoriteteve republikane dhe përfaqësuesve të shqiptarëve nga jugu i Serbisë/Lugina e Preshevës, si dhe të dhënat e (mos)zbatimit të tri marrëveshjeve, veçmas ‘Planit Shtatëpikësh’ (7PP), që është edhe baza e dialogut të tanishëm ndërmjet përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Tribuna „(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi” është organizuar në kuadër të projektit “Serbia e jugut – Sundimi i ligjit për të gjithë”, të cilin po e implementon Këshilli për të Drejtat e Njeriut me mbështetjen e The Rockefeller Brothers Fund.

ARTIKUJT E NGJASHËM

OKB e shqetësuar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë / Çfarë thuhet në këtë raport

PreshevaPRESS

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

PreshevaPRESS

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

PreshevaPRESS