Anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, kanë vendosur që të mbajnë dy seanca të jashtëzakonshme më 17 shtator, në të cilat do të diskutohet çështja e njohjes së Kosovës dhe zhvendosjes së ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem.
Kërkesa për të shqyrtuar njohjen e Kosovës është bërë nga anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq dhe tjetra për zhvendosjen e ambasadës nga anëtari tjetër i presidencës, Millorad Dodik.
Javën e kaluar, Serbia, në kuadër të një marrëveshjeje me Kosovën, të nënshkuar në Uashington, ka rënë dakord për zhvendosjen e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Presidenca e Bosnje-Hercegovinës mbajti konsultime të mërkurën, në të cilën po ashtu vendosi që seanca e rregullt e Presidencës do të mbahet më 17 shtator, në të cilën do të disktohet kërkesa e anëtarit të presidencës, Millorad Dodik për t’u bashkuar me nismën “mini-Shengen”.
Çështja e Kosovës ka qenë temë diskutimi të mërkurën në Sarajevë, mes Zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, njëherësh Përfaqësuesit të Posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe anëtarëve të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Zhelko Komshiq dhe Millorad Dodik.
Xhaferoviq duke folur në emër të presidencës trepalëshe tha se njëra nga temat e diskutimit ishte edhe pozicioni i Bosnje-Hercegovinës karshi dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Në mënyrë të qartë është thënë se ai dialog nuk ka asnjë lidhje me ndonjë nga shtetet e rajonit dhe se i përket vetëm Prishtinës dhe Beogradit”, tha Xhaferoviq.
Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik në një konferencë për media, pas takimit me Palmer, ka thënë se ai e kupton faktin që SHBA-ja e ka pranuar Kosovën, por shtoi se “nuk do të ndalem së pyeturi se si është e mundur që një rregull të vlejë për njërën palë, e një tjetër për palën tjetër”.
Ndryshe, Palmer bisedoi me tre anëtarët e presidencës edhe rreth pjesëmarrjes së Bosnjës në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s dhe aleatët e saj.
Serbia dhe Kosova me marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, janë pajtuar t’i bashkohen zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019.