Policia e Kosovës ngre alarm rreth një incidenti në veri të Kosovës me Xhandarmërinë serbe

Një incident i rëndë është raportuar në veri të vendit, ku Policia e Kosovës dyshon se një qytetar i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. dhe me nacionalitet serb, është plagosur dhe rrëmbyer nga pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, brenda territorit të Kosovës.


Në komunikatën zyrtare thuhet se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të zonës së Leposaviqit, në hapësirën e njohur si “pika zero”, e cila ndodhet midis kufirit të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M.V.), shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmeria serbe. Për këtë rast, Policia ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjës për zonën kufitare”, – thuhet në njoftim.

Sipas hetimeve të para të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, disa persona të maskuar janë parë duke hyrë në territorin e Kosovës, ku më pas e kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën.

Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar se personi i rrëmbyer është dërguar në territorin e Serbisë, ku më pas me autoambulancë është transportuar drejt qytetit të Nishit.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet zyrtare në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ndërsa rasti është kualifikuar si krim i rëndë ndërkufitar.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Gazeta Paparaci: Dronë nga Serbia mbi territorin e Kosovës

PreshevaPRESS

“Fantazma” e krijuar me AI bëhet virale në botën shqiptare, krijon konfuzion te qytetarët

PreshevaPRESS

Serbia subvencionon deri në 5.000 euro për blerjen e automjeteve elektrike

PreshevaPRESS