Kamberi kërkon ndihmë nga Shqipëria, Sinani falemnderon Kosovën derisa Arifi akuzon Kurtin për tradhëti kombëtare

Emisioni “Review” i cili shfaqet në kanalin Euronews Albania, edicionin e së shtunës së fundit ka diskutuar për pozitën e shqiptarëve në Serbi, gjatë së cilës janë paraqitur përfaqësuesit politik të Luginës.


Ardita Sinani, ish-kryetarja e komunës së Preshevës, aktualisht këshilltare e kryeministrit Albin Kurti, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin Review, në Euronews Albania, ku foli në lidhje me mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Sinani kërkoi më shumë vëmendje nga Shqipëria, e cila si anëtare për herë të dytë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB, duhet të ngrejë shqetësimin për të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Sinani zbuloi dhe ndihmën e qeverisë shqiptare për banorët e Luginës gjatë kohës që ajo ka qenë në qeverisjen vendore.

Ajo tha se shteti shqiptar, ndihmën e vetme që ka bërë ka qenë për vërshimet e ujit dhe përmbytjet që u shkaktuan. 

“Ndihma e Shqipërisë sa isha unë kryetare bashkie ka qenë për vërshimet. I jemi falenderues për këtë, por është e rëndësishme që edhe Shqipëria të përfshijë Luginën në buxhetin e saj shtetëror sipas modelit të Kosovës. Kjo do të ishte një zbatim i marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri për krijimin e fondit zhvillimor për Luginën që e kanë firomsur vetë dy qeveritë në mbledhjet e përbashkëta”, tha Sinani.

Ndërkohë që Sinani u shpreh se ndihma e Kosovës gjatë dy viteve të fundit ka qenë në shumën prej, 28 milionë euro.

“Nga qeveria e Republikës së Kosovës janë ndarë 2.8 milionë euro këto dy vitete e fundit. Janë përfshirë mbi 5 mijë persona direkt ose indirekt, parashkollorë, fillorist, të rinj të reja, persona me aftësi të veçanta, ka pasur aktivitete të ndryshme që synojnë avancimin e politikave në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicës shqiptare, rinore sportive, edukative kulturore, si dhe për të promovuar gjuhën dhe traditën shqiptare”, tha ajo.  

Kamberi: Shqipëria dhe Kosova të ndërtojnë programe të veçanta shtetërore për shqiptarët në Luginë të Preshevës

Në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Albania, deputeti Kamberi theksoi se Shqipëria duhet të luajë një rol, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, pasi Serbia i shikon si armiq.  Mes të tjerash ai nënvizoi se dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e shohin si një mekanizëm që mund të japë përgjigje për kërkesat e tyre për të drejtat e shqiptarëve.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, është shprehur se shqiptarët në Preshevë janë të shpërndarë duke shtuar se duhet të kishte një organizim më të madh nga ana e politikanëve. I ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, ai shtoi se 20% të pakicave në Serbi nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e Serbisë.

“Po të ketë një homogjenitet të shqiptarëve, një organizim më të madh, një unitet më të madh n veprim se në deklarim ka. Paraqitja ime në Beograd ishte tepër ekstreme. Mund  të ketë më tepër përfaqësim në Beograd. 20% të pakicave në Serbi nuk janë të përfaqësuara në Parlament . Simbolikë është numri i përfaqësimit të pakicave me një shqiptar  me 3-4 boshnjakë dhe me 4 hungarezë. Sistemi në Serbi i përfaqësimit është i centralizuar” tha ai.  

Arifi sulmon Kurtin: Tradhtar i kombit, varrose aspiratën të bashkohemi me Kosovën

Temë e diskutimit në emisionin “Review” në Euronews Albania ishte axhenda e spastrimit etnik në Luginën e Preshevës, ku 10 mijë shqiptarë janë hequr nga adresat e banesave të tyre.

I ftuar në studio, kreu i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për neglizhencë dhe mos-dhënien e mbështetjes së duhur ndaj shqiptarëve në Luginë.

Arifi e quajti Kurtin tradhëtar të kombit, pasi me marrëveshjen e Ohrit varrosi aspiratën e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën.

“Prishtina e ka obligim politiko-moral që brenda procesit të dialogut të kujdeset njësoj si Serbia kujdeset për serbët në Kosovë. E kemi në një anë një Kosovë e cila minoritetin e saj në anën e Serbisë e neglizhon totalisht. Tre viteve të fundit mundohet të përçajë në vazhdimësi me ato raporte në Luginën e Preshevës që pak më parë i patët në emision. Nga ana tjetër kemi një Serbi që për serbët në Kosovë investon rreth 800 milionë dollarë në 20 vitet e fundit. Investon t’i mbajë aty dhe të mbështesë tezën e saj që Kosova është Serbi. Gjatë 20 viteve të fundit Kosova ka treguar jo vetëm neglizhencë por edhe një diletantizëm politik, duke patur obligimin moralo-politik për shqiptarët në anën tjetër të kufirit. Unë nuk e njoh një politikan që ka bërë më shumë kompromise vitet e fundit, ka pranuar Asocacionin që e ka luftuar 10 vitet e fundit, ka pranuar që Lugina mos të përfshihet në marrëveshjen e Ohrit dhe ka hequr dorë nga reciprociteti. Për ne në Luginën e Preshevës Albin Kurti është tradhtar kombëtar, pasi ka varrosur me marrrëveshjen e Ohrit që ne të jemi pjesë e Republikës së Kosovës”, tha Arifi.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Mundësi për të rinjtë nga Presheva e Bujanoci: Vizitë studimore tre-ditore në Beograd

PreshevaPRESS

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS