Albin Kurti sot në ora 11:00, do ta pranoj pozitën e kryeministrit nga ish-zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli.
Ky i fundit do t’ia dorëzojë detyrën Kurtit në mungesë të Ramush Haradinajt i cili gjendet në Amerikë.
Vet Haradinaj përmes një postimi në Facebook dje ka treguar se ai s’mund t’ia dorëzojë detyrën Kurtit pasi është jashtë vendit, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Haradinajt:
Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve.
Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë.
Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.
Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar.
Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë.
Gjithashtu, përveç Kurtit ministri i sapozgjedhur i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca do të pranojë detyrën e tij zyrtare shtetërore.
Me kërkesë të ministrit në largim, Behgjet Pacolli dhe të vetë ministrit të ri, Glauk Konjufca sot do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës ministrore në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ceremonia nis në ora 13:00 në sallën e Konferencave të Ministrisë së Punëve të Jashtme.