Zbardhja e vdekjeve të dyshimta të ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) po rikthehet si temë në opinionin publik pas debatit për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Pas nismës së deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, edhe aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka ngritur shqetësime dhe ka kërkuar hapjen e arkivave shtetërore.
Kandiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se shumë nga vdekjet e ushtarëve shqiptarë gjatë viteve ’80 janë regjistruar si “vetëvrasje” apo “aksidente”, por familjet e viktimave kanë raportuar shenja dhune mbi trupat e kthyer.
Ajo theksoi se Serbia duhet të lejojë hetime të pavarura dhe qasje në dokumente për të zbardhur të vërtetën.
Nga ana tjetër, Kamberi këtë javë i ka dorëzuar një kërkesë kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, për themelimin e një komisioni parlamentar hetimor mbi rastet e vdekjes së 135 ushtarëve shqiptarë në APJ gjatë viteve ’80.
Ai paralajmëroi se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për të cilin autoritetet serbe tashmë po përgatisin terrenin, ka ngjallur frikë të re në mesin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“E kaluara dhe pasojat e saj ende ndikojnë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve”, tha Kamberi, duke nënvizuar se mungesa e hetimeve të pavarura ka forcuar bindjen se bëhet fjalë për vrasje me motive etnike dhe politike.