LVV nuk siguron votat, dështon për të 11 herë, Kurti i ofron koalicion Abdixhikut

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e 11-të, më 05.05.2025.


PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk kanë propozuar anëtarë për Komisionin zgjedhor për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Rrjedhimisht nuk pati kuorum për votimin e këtij komisioni. 56 deputetë votuan për, 1- kundër dhe asnjë abstenim. Ndërkohë, LVV nuk ka hequr dorë nga kandidimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Seanca konstituive vazhdon më 7 maj në orën 10:00.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se është i “interesuar” dhe i “vullnetshëm” për koalicion me LDK-në.

Në këtë letër, Kurti shkroi se pavarësisht dallimeve në bindje politike e në politikat qeverisëse, koalicionet “bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”.

“LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV. Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurtin 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe” – ka shkruar Kurti.

Më tej, ai shkroi se është i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV.

“Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?” – ka shkruar tutje Kurti.

Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe diskutojmë këto si politikanë të pjekur që kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo tjetër” – përfundoi letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Vazhdimi i seancës konstituive në Parlamentin e Kosovës për të 11 herë

PreshevaPRESS

Letra e familjarëve që tregon detaje shokuese për Artan Zymberin i cili vdiq në një burg të Serbisë

PreshevaPRESS

Nga Shkupi në Holandë: Suksesi i Vigjilenca Abazit në Drejtësinë Evropiane

PreshevaPRESS