Shtabi Republikan i Krizave ka marrë vendim që nga e dita e premte, 7 maj, të lejohen edhe bizneset në fushën e gastronomisë të punojnë në ambiente të mbyllura, duke respektuar të gjitha masat epidemiologjike, tha epidemiologu Dr. Branisllav Tiodoroviq pas mbledhjes së këtij organi.
Ai shpjegoi se këto biznese do të munden të punojnë edhe në ambiente të mbyllura, me kusht që të respektojnë të gjitha masat epidemiologjike – që maksimumi i shfrytëzimit të jetë deri në 50 përqind, që distanca midis mysafirëve të jetë nga një metër e gjysmë deri në dy, por pa muzikë, live apo me altoparlantë.
“Sepse kur muzika është me zë të lartë, njerëzit janë të detyruar të bërtasin për t’u dëgjuar, dhe atëherë të gjithë këta janë faktorë që ndihmojnë përhapjen e virusit. Ne nuk kemi mbaruar me virusin, lufta do të vazhdojë për një kohë të gjatë “, tha Tiodoroviq dhe njoftoi vendimet e reja të Shtabit të Krizave për javën e ardhshme.
Ai vuri në dukje se do të kryhet kontroll i rreptë i pajtueshmërisë me masat epidemiologjike dhe se Shtabi i Krizave do të avokojë për zbatimin rigoroz të masave ndëshkuese.
Tiodoroviq deklaroi se bizneset në fushën e gastronomisë do të punojnë deri në orën 10 të mbrëmjes, derisa sa i përket grumbullimit, akoma lejohet të mblidhen deri në pesë persona në një vend, me respekt për distancën, mbajtjen e maskave dhe dezinfektimin e nevojshëm.