Enti Parashkollor “8 Marsi” ka shpallur konkursin për regjistrimin e fëmijëve në grupet e qëndrimit ditor dhe ftesën për regjistrim në programin përgatitor parashkollor për vitin punues 2026/2027.
Sipas vendimit, regjistrimi do të përfshijë fëmijët e grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga mosha 1-vjeçare deri në fillimin e shkollës, si dhe fëmijët e lindur nga data 01.03.2020 deri më 28.02.2021 për programin përgatitor parashkollor.
Në njoftim bëhet e ditur se në vitin punues 2026/2027 do të ketë vende të lira në këto grupe:
- Grupi i çerdhes 1–3 vjeç – 14 vende;
- Grupi 3–5 vjeç – 26 vende;
- Grupi 5–5.5 vjeç deri në fillimin e shkollës – 28 vende;
- Grupet e përziera me qëndrim ditor (pasdite) nga mosha 3 vjeç deri në fillimin e shkollës – 22 vende.
Konkursi për pranimin e aplikacioneve është hapur më 18 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 18 qershor 2026. Prindërit dhe kujdestarët mund t’i dorëzojnë kërkesat personalisht në ambientet e entit në rrugën “Bore Vukmiroviq” nr. 26 në Preshevë, çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në 13:00, ose përmes postës së rekomanduar.
Për programin përgatitor parashkollor, dokumentet e nevojshme janë:
- kërkesa për regjistrim,
- vërtetimi mbi kontrollin shëndetësor të fëmijës,
- kopja e certifikatës së lindjes.
Në dokument thuhet se përparësi gjatë regjistrimit do të kenë fëmijët nga grupet shoqërore të ndjeshme, fëmijët e prindërve të punësuar dhe studentëve të rregullt, si dhe familjet me më shumë fëmijë në institucion.
Ndër kategoritë prioritare përfshihen edhe fëmijët viktima të dhunës në familje, fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët me pengesa në zhvillim, si dhe familjet që përfitojnë mbrojtje sociale.
Sipas njoftimit, informacione shtesë mund të merren përmes numrit të telefonit 017/860-095 ose në adresën elektronike pu8mart@gmail.com.




