KRYESIA E PVD-së KA VENDOSUR TË MOS PËRFSHIHET NË QEVERINË E RE NË SERBI

Gjatë ditës së sotme, kryesia e Partisë për Veprim Demokratik ka mbajtur mbledhje, në të cilën është biseduar për situatën aktuale poliike në Luginë.


Kryesia e PVD-së gjatë kësaj mbledhje ka diskutuar edhe në lidhje me hapjen e Zyres për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës, me ç’rast ka vlerësuar lartëangazhimin e kryeministrit dhe Qeverisë Hoti.

PVD, shpreh optimizmin e saj që ky hap do të kontribojë drejtpërdrejtë në mbrojtjen institucionale të shqiptarëve nga Republika e Kosovës dhe hap i rëndësishëm drejt vendosjes së parimit ndërkombtarisht të pranuar të reciprocitetit në të drejta.” thuhet mes tjerash në komunikatën e kryesisë së PVD-së, të publikuar në faqen e saj në rrjetin social facebook.

Përveç Zyres për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës, kryesia e PVD-së ka diskutuar edhe për çështjen dhe drejtimin politik që duhet marrë koalicioni “Alternativa Demokratike Shqiptare” në zgjedhjet parlamentare, i cili përfaqësohet me tre deputetë shqiptarë në parlamentin e Serbisë.

Kjo parti ka vendosur që deputeti i saj i deleguar në këtë koalicion, njëherit edhe kryetari i saj, Shaip Kamberi, të veprojë si opozitë në përbërjen e re të parlamentit të Serbisë, pasi që vlerëson se po vazhdonpolitika diskriminuese shtetërore në raport me Shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Përmes kësaj komunikate vihet në pah mospajtueshmëritë e deputetëve për veprimin e mëtutjeshëm parlamentar, gjë që  PreshevaPRESS ka raportuar se ishte tema kryesore e takimit konsultativ të para disa ditëve me Ministrin në detyrë për Evropën dhe punët e jshtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, edhe pse asnjëra palë nuk ka folur në lidhje me këtë problematikë.

“Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, bazuar në vazhdimin e politikës diskriminuese shtetërore në raport me Shqiptarët e Luginës së Preshevës, vlerëson se deputeti i Partisë për Veprim Demokratik duhet që, në përbërjen e re të parlamenit, të veprojë nga pozicioni i opozitarit. Me këtë rast, PVD fton edhe dy deputetët tjerë nga lista e përbashkët që të jenë në këtë linjë, duke u angazhuar gjithashtu në përfshirjen e formimit të një grupi parlamentar me ato parti parlamentare që kanë kërkesa dhe orientim të përafërt politik me atë të Shqiptarëve të Luginës.” thuhet më tutje në këtë komunikatë.

PreshevaPRESS ka mësuar se deputetët shqiptarë nuk kanë qëndrim unik sa i përket formimit të grupit parlamentar me një parti politike të Sanxhakut, pasi që Partia për Veprim Demokratik insiston në formimin e grupit parlamentar duke u bashkuar me partinë boshnjake të Uglaninit, derisa deputeti i APN-së insiston bashkimin me partinë e Zukorliqit.

Përveç temave politike, kryesia e PVD-së ka analizuar dhe vlerësuar punën e KKSH-së.

Në vazhdim ju sjellim komunikatën e plotë të kryesisë së Partisë për Veprim Demokratik të postuar në faqen e saj në facebook:

KUMTESË E KRYESISË SË PARTISË PËR VEPRIM DEMOKRATIK

Kryesia e Përgjithshme e Partisë për Veprim Demokratik, gjatë ditës së sotme mbajti mbledhjen e saj të rradhës në të cilën shqyrtoi situatën aktuale politike.

Ndër temat kryesore të kësaj mbledhje ishte hapja nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht e kryeministrit Avdullah Hoti të Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës. Partia për Veprim Demokratik vlerëson lartë angazhimin e kryeministrit Hoti dhe Qeverisë në Prishtinë për hapjen e kësaj Zyre, e cila konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit institucional në mes të Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës. PVD, shpreh optimizmin e saj që ky hap do të kontribojë drejtpërdrejtë në mbrojtjen institucionale të shqiptarëve nga Republika e Kosovës dhe hap i rëndësishëm drejt vendosjes së parimit ndërkombtarisht të pranuar të reciprocitetit në të drejta.

Ditëve në vijim pritet të bëhet edhe formimi i Qeverisë së Serbisë. Pavarësisht bisedave të zhviluara me presidentin e Serbisë, nga ana e deputetëve shqiptarë dhe dorëzimit të listës me kërkesa konkretë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve, edhe kjo përbërje e re e parlamentit qendror po dëshmon mungesën e vullnetit politik në Beograd për të trajtuar problemet jetësore të shqiptarëve.

Andaj, Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, bazuar në vazhdimin e politikës diskriminuese shtetërore në raport me Shqiptarët e Luginës së Preshevës, vlerëson se deputeti i Partisë për Veprim Demokratik duhet që, në përbërjen e re të parlamenit, të veprojë nga pozicioni i opozitarit. Me këtë rast, PVD fton edhe dy deputetët tjerë nga lista e përbashkët që të jenë në këtë linjë, duke u angazhuar gjithashtu në përfshirjen e formimit të një grupi parlamentar me ato parti parlamentare që kanë kërkesa dhe orientim të përafërt politik me atë të Shqiptarëve të Luginës.

Kryesia e PVD-së, në këtë rast, vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e Këshillit Kombëtarë Shqiptar, gjegjësisht kryetarit Ragmi Mustafa, për zhvillimin me sukses të sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës, problem ky që me decenie ka rënduar problematikën e arsimit në rajonin tonë. Suksesi i KNSh-së, njëkohësisht ishte edhe përmbushje e zotimit tonë që fëmijëve shqiptarë t’i realizohet mundësisa e mësimit me librat e njejtë që mësojnë edhe fëmijët e Shqipërisë.

Shërbimi për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS