KFOR: Përmbahuni nga veprimet nxitëse dhe retorika përçarëse, situata në Kosovë e qetë por e brishtë

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë të premten se situata në Kosovë është e qetë por mbetet e brishtë, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet nxitëse dhe retorika përçarëse, dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.


Në një përgjigje me shkrim dërguar Zërit të Amerikës, pas shqetësimeve të ngritura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth stërvitjeve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, KFOR-i theksoi se pas tensioneve të fundit, në terren janë vendosur rreth një mijë trupa shtesë dhe është trefishuar numri i patrullimeve, përfshirë edhe vijën kufitare.

“Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson mbikëqyrjen nga afër të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe t’u përgjigjet të gjitha situatave që mund të kenë ndikim në një mjedis të sigurt”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet se “qëllimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme që të përmbushim mandatin tonë për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”.

KFOR-i tha se përmbushja e këtij synimi përfshin ndër të tjera patrullimet, angazhimet me popullatën vendase dhe komunikimin e rregullt me një gamë të gjerë bashkëpunëtorësh, siç janë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë, misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, misionin e OKB-së, atë të OSBE-së dhe diplomatët.

“Për më tepër, KFOR-i vepron në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Duke vepruar kësisoj, KFOR-i do të vazhdojë të krijojë kuadrin e nevojshëm të sigurisë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, thuhet në deklaratë.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

PreshevaPRESS

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

PreshevaPRESS