Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas Kodit Penal të Kosovës, shkruan KosovaPress.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok kanë përhapur ideologji ekstremiste fetare dhe kanë shprehur publikisht përkrahje për organizatën terroriste ISIS, përmes postimeve me përmbajtje nxitëse dhe thirrjeve për pjesëmarrje në luftëra të armatosura dhe në “luftën për xhihad”.
Hetimet kanë zbuluar se D.B. dhe E.B. kishin vendosur flamuj të ISIS-it mbi çatinë e shtëpisë së tyre dhe kishin shkruar grafite me shkronja arabe në mure, veprime që, sipas Prokurorisë, mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Gjithashtu, D.B. akuzohet për shpërndarjen e materialeve fyese ndaj pjesëtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe për refuzim të hapur ndaj çdo interpretimi tjetër të fesë që nuk përputhej me bindjet e tij.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të vazhdohet masa e paraburgimit për D.B., si dhe arresti shtëpiak për E.B.
Aktakuza është ngritur në përputhje me ligjet në fuqi dhe mbetet në duart e gjykatës për vendimin përfundimtar.