Dështon regjistrimi i koalicionit, Guxo dhe Alternativa garojnë në zgjedhje si pjesë e listës së Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të hyjë në koalicion parazgjedhor me partneret në qeverisjen aktuale, Guxo dhe Alternativa. Një koalicion i tillë nuk është regjistruar brenda afatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Në një njoftim të përbashkët tri partitë kanë thënë se nuk kanë mundur ta procedojnë formalisht kërkesën në KQZ “për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare” dhe se do të garojnë në një listë të përbashkët.

“Ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Së bashku synojmë që me votën e qytetarëve të vazhdojmë partneritetin në qeverisjen e ardhshme si dhe punët e mira për Republikën e Kosovës”, kanë njoftuar ato.

Në zgjedhjet e 2021-s, Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 50 për qind të votave. Në listë ishin zyrtarë të listës Guxo, që gjatë mandatit të parë është kthyer në parti politike. Në listë ishin edhe përfaqësues të Alternativës.

Të premten është mbyllur afati për paraqitjen e koalicioneve për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Në listën e ofruar nga KQZ-ja janë 6 koalicione.

Subjektet politike që kanë kërkuar certifikim si koalicione janë si në vijim:

1.Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT;

2.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koaliconit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30;

3.Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA;

5.Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim, me emrin e koalicionit: PDAK – LpB;

6.Partia e Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re, me emrin e koalicionit: LISTA PËR FAMILJEN, AKR PD.

Në periudhën 16 gusht – 30 gusht kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të certifikohen për zgjedhjet Partia Demokratike e Diasporës, Lëvizja për Bashkim dhe Partia Balliste./Koha.net

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

PreshevaPRESS

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

PreshevaPRESS