Carpenter: Pas aktakuzës ndaj Thaçit, dialogu në Uashington do të duhej anuluar

Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të ndikojë në dialogun e planifikuar të mbahet më 27 qershor në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej, megjithatë ai thënë se nuk mund të parashikohet se çfarë do të vendosë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për këtë gjë.

“ Unë pres që samiti të anulohet, por me administratën Trump asgjë nuk është e parashikueshme. Unë nuk mund të them me siguri se si do të reagojnë, por në këto rrethana, kështu do të duhej të reagonin”, ka thënë Carpenter.

Sipas tij, akuzat ndaj Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë shumë serioze dhe se ndikimi i tyre në dialog do të ndodhë për faktin se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për vite me radhë.

Carpenter pret që në këto rrethana, dialogu të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në aktakuzën me dhjetë pika për shqyrtim, presidenti Thaçi, Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Shtetasit e Kosovës me pasaporta “koordinacija” nga mesi i tetorit pa viza në Schengen

PreshevaPRESS

Zyrtari i NATO-s bisedon me Bislimin për urën në Mitrovicë, Goffus: Vendimet të konsultohen me ndërkombëtarët

PreshevaPRESS

ZPS-ja i largon edhe 11 dëshmitarë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

PreshevaPRESS