Beteja e fuqive të mëdha për dialogun Kosovë – Serbi

Republika e Kosovës ka mbushur 12 vjet si shtet por ka ende një problem që duhet ta zgjidhë: një marrëveshje paqeje, dhe finale, me Serbinë. E gjithë kjo ka bërë që fuqitë e mëdha botërore të hyjnë në një betejë, sidomos këto ditë, shkruan Reporteri.


Republika e Kosovës ka mbushur 12 vjet si shtet por ka ende një problem që duhet ta zgjidhë: një marrëveshje paqeje, dhe finale, me Serbinë. E gjithë kjo ka bërë që fuqitë e mëdha botërore të hyjnë në një betejë, sidomos këto ditë, shkruan Reporteri.

Miroslav Lajçak pati tri lajme jo fort të mira sot nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës. Presidenti i vendit nuk dha shenja se do ta takojë e për më tutje dha deklarata të ashpra se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë më për marrëveshje teknike, e për fjalime koti, duke ia kujtuar se qytetarët kanë nevojë për liberalizim vizash nga ana e Bashkimit Evropian.

“Unë nuk jam i informuar për agjendën e vizitës së zotit Lajçak në Kosovë. Nuk është koha të hapen çështje teknike apo pretendime për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran nëse vjen me këtë qasje se duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë. Çdo qasje tjetër është çështje e dështimit të tij në Kosovë. Lajçak duhet ta kuptojë para së gjithash se qytetarët kanë nevojë për viza e jo fjalime të kota”, tha presidenti Thaçi para mediave pas takimit që kishte me Kryeministrin, Avdullah Hoti.

E derisa Lajçak, si Emisar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi priste në Zvicër, me shpresë së mund të niset, nga një Emisar tjetër, ai i SHBA-ve, Richard Grenell pati një konfirmim se më 27 Qershor, në Shtëpinë e Bardhë një takim mes krerëve të dy shteteve do të zhvillohet.

“Lajm i madh! Kam marrë angazhimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndaluar përkohësisht fushatën e mosnjohjes dhe kërkimin e anëtarësimit ndërkombëtar në mënyrë që të takohemi në Uashington, DC në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor për diskutime për Dialogun”, ka shkruar Grenell në Twitter, shkruan Reporteri.net.

“Nëse secila palë është e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, ata do të kthehen në status quo pasi të largohen nga Uashingtoni.

Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mezi pres këto diskutime”, ka shkruar ai.

Një lajm i tillë u mirëprit menjëherë nga pala kosovare, dhe nxiti reagimin e Presidentit që foli për rolin kryesor të SHBA-ve në këtë proces. Një reagim e pati edhe Kryeministri, Avdullah Hoti.

Nga Bashkimi Evropian nuk pati asnjë reagim në lidhje me njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë. Nuk dihet ende nëse dikush nga BE-ja do të jetë në Uashington, qoftë edhe vetë Miroslav Lajcak. Ky i fundit do të qëndrojë nja 3 ditë në Kosovë dhe nesër pritet ta takojë Kryeministrin Avdullah Hoti dhe Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Nuk dihet nëse nga opozita, VV dhe PDK do të jenë pjesë e agjendës së tij. Nga opozita, PDK nuk ka folur asgjë për vizitën e Lajçak dhe lajmin e Grenell. E nga Vetëvendosjes, kryetari i së cilës, akuzoi Richard Grenellin se e rrezoi nga posti i Kryeministrit, njoftimin për takim e quajtën si kompromis i rëndë nga Qeveria Hoti.

‘’Pas sajimit të qeverisë së paligjshme, deklarata e parë e presidentit Thaçi ishte se duhet të largohen të gjitha pengesat karshi dialogut, dhe ashtu ndodhi: qeveria koti largoi masën e reciprocitetin ndaj Serbisë, duke e zhveshur tërësisht Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror. Ndërkaq sot emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, na njoftoi për vendimin e radhës së kësaj qeverie: që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.’’, thotë VV në një komunikatë.

Nga partnerët tjerë qeveritare, AAK dhe Nisma nuk kanë thënë asnjë fjalë për gjithë këto zhvillime. Të dy këto parti kanë qenë më shumë pro një roli kryesor të Amerikës në dialog, shkruan Reporteri.

SHBA-të dhe BE-ja siç dihet që një kohë kanë mospajtime rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Palët thuhet se nuk pajtohen për afatin dhe temat. Derisa BE-ja e ka deklaruar se është pro një dialogu më të ngadalshëm dhe pjesë, në SHBA duan një zgjidhje finale të paqes dhe ajo të ndodhë sa më shpejt, para shtatorit në veçanti.

BE-ja madje ka shprehur gatishmëri, respektivisht, presidenti i Francës, Emanuel Macron riorganizimin e një Samiti në Paris. I njëjti pritej të mbahej në vitin 2019, por u anulua pas ish kryeministri, Ramush Haradinaj refuzonte të hiqte taksën. Macron e shprehi gatishmërinë e riorganizimit kur uroi Avdullah Hotin në marrjen e detyrës.

Një rol aktiv në dialog ka pasur edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që edhe kishte organizuar një Samit në Berlin, që temë kryesore ishte dialogu. As aty nuk kishte pasur rezultat, shkruan Reporteri.

Dhe përderisa BE-ja dhe SHBA-të po tentojnë ta drejtojnë dialogun dhe të shtyjnë agjendën e vetë, Rusia, aleati i Serbisë nuk ka qëndruar e heshtur në këtë temë. Ajo në vazhdimësi është interesuar dhe ka lëshuar qëndrime, që kryesisht kanë qenë kundër Kosovës, por nuk ka kundërshtuar dialogun dhe një zgjidhje mes palëve.

Jo më larg se sot, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin lëshoi një deklaratë për dialogun, pas një bisedë që kishte pasur me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuqiq.

Kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Putin në një bisedë telefonike me Vuçiq tha se do të diskutonte çështjen e Kosovës në mënyrë private me homologun e tij serb, i cili do të jetë në Moskë më 24 qershor.

“Gjatë një shkëmbimi të hollësishëm të mendimeve për zgjidhjen e Kosovës, Vladimir Putin foli në favor të hartimit të një kompromisi të pranueshëm për Beogradin, i cili duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit”, thuhet nga Kremlini zyrtar.

Nga ana tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sot ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, duke bërë të ditur edhe agjendën e tij para bashkimit në tryezë të serbëve dhe shqiptarëve.

Ai ka thënë se pas vizitës që i dërguari i BE’së, Miroslav Lajçak, do të ketë në Kosovë, më 22 qershor do të vizitojë Beogradin. Pas takimit me të, një ditë më vonë, Vuçiq ka thënë se do të niset për një vizitë në Moskë, e më pas në Uashington dhe në disa vende të tjera, përcjell Reporteri.net.

Ai gjithashtu ka thënë se Serbinë e pret punë serioze për Kosovën, por gjithashtu se nuk ka parë ndonjë propozim.

“Me një politikë serioze dhe të përgjegjshme, ne kemi arritur që çështjen e Kosovës ta sjellim përsëri në tryezë, me ndihmën e fuqive të mëdha”, ka thënë Vuçiq.

Sikurse Serbia, edhe Kosova po bëhet gati për rifillimin e dialogut në mes të dy vendeve. Sot është zhvilluar një takim në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Avdullah Hoti, të cilët më pas në dy konferenca të ndara për media, deklaruan se janë pajtuar që të bashkëpunojnë, për të arritur që të nxjerrin rezultate sa më të mira nga ky proces.

Në gjithë këtë betejë të fuqive të mëdha për dialogun Kosovë – Serbia, Republika e Kosovës po përballet edhe me dallime të mëdha të brendshme.

Vetëvendosje, partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit duket se nuk do ta ofrojë përkrahjen për një dialog të shpejtë.

Qeveria ka vetëm 61 vota, duke llogaritur ato kur u votua. Ratifikimi i marrëveshjes kërkon 2/3 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. PDK me 24 deputetë, që ka drejtuar dialogun dhe ka qenë pro tij, nuk dihet se çfarë qëndrimi final do të ketë. Ajo se çfarë megjithatë po shihet, se po shkojmë drejt një marrëveshje të madhe, që ose do të shënojë hapa përpara, ose siç ka thënë ambasadori, Richard Grenell, do të mbesim në sqatus quo.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

PreshevaPRESS

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

PreshevaPRESS